Policia kufitare shqiptare godet kontrabandimin e migrantëve të parregullt

Pajisje të dhuruara nga qeveria amerikane po e ndihmojnë policinë kufitare shqiptare të identifikojë edhe gjatë natës me kamera termike kontrabandimin e migrantëve të parregullt nga kufiri greko-shqiptar.

Policia kufitare e Gjirokastrës goditi një rrjet të transportimit të migrantëve nga kufiri jugor drejt Shkodrës duke arrestuar njërin prej transportuesve dhe duke shpallur në kërkim një tjetër person që dyshohet se kontrollonte rrugën për praninë policore.

Policia gjeti në një automjet furgon, që u bllokua në urën e Dragotit, midis Tepelenës dhe Përmetit, 30 migrantë të parregullt, për identifikimin e të cilëve ende po punohet.

Në këtë segment pak kohë më parë ndodhi një incident i rëndë ku 7 migrantë nga Pakistani dhe shoferi që i transportonte drejt Shkodrës humbën jetën.

Makina ku udhëtonin migrantët doli nga rruga dhe ra nga një lartësi prej qindra metrash buzë lumit “Vjosa”, pasi shoferi po e drejtonte automjetin me shpejtësi tejet të lartë për t`i shpëtuar ndjekjes nga policia.

Sipas policisë shqiptare prej fillim të këtij viti janë realizuar 15 operacione policore me mbi 500 migrantë të evidentuar, të cilët kanë hyrë në territorin shqiptar në mënyrë të parregullt, kryesisht nga Greqia fqinje.

Policia tha se ka arrestuar nga janari deri në maj të këtij viti 45 shtetas të dyshuar për vepra penale të kontrabandimit të migrantëve për qëllime fitimi.

Go to TOP