Policia jep detaje për aksionin e sotëm

Policia e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me operacion kontrollin e realizuar në zyrat e Drejtorisë për Shtetësi, Azil dhe Migrim (DShAM) nën dyshimin për përfshirje në veprimtari penale nga zyrtarë të kësaj drejtorie.

“Hetuesit policorë nga Sektori i Hetimeve të Departamentit të Policisë Kufitare, pas një hetimi disa mujorë, në bashkëpunim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI), sot më 22.07.2026, nën autorizimin e Departamentit për Krime të Rënda të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, ka realizuar një operacion kontrolli në zyrat e Drejtorisë për Shtetësi, Azil dhe Migrim (DShAM) nën dyshimin për përfshirje në veprimtari penale nga zyrtarë të kësaj drejtorie”, njofton Policia.

Policia njofton se ka sekuestruar prova dhe dëshmi relevante që lidhen me rastin. Janë arrestuar dy të dyshuar, zyrtarë të DShAM-së: G.J., (viti i lindjes 1975, femër kosovare) dhe F.Sh., (viti i lindjes 1979, femër kosovare). Në cilësi të të dyshuarit është arrestuar edhe D.K., (viti i lindjes 1988, mashkull, shtetas i huaj). Po ashtu në cilësi të të dyshuarës është intervistuar edhe E.Q., (viti i lindjes 1972, femër kosovare).

“Personat e lartcekur, dyshohet se në bashkëkryerje kanë lëshuar leje qëndrimi për shtetas të huaj, duke u mundësuar atyre pajisjen me dokumentacionin përkatës, duke përfituar dobi pasurore në mënyrë të kundërligjshme. Ndaj të dyshuarave është iniciuar rasti karshi veprave penale: ‘keqpërdorimi pozitës apo autoritetit zyrtar’, ‘marrja e ryshfetit’, ‘falsifikimi i dokumentit zyrtar’ dhe ‘dhënia e ryshfetit’. Me aktvendim të prokurorit, tre të dyshuarit e parë janë dërguar në mbajtje deri në 48 orë, kurse ndaj të dyshuarës E.Q., rasti do të zhvillohet në procedurë të rregullt”, njofton Policia. /Kosova.info/

Go to TOP