Policia arreston katër të dyshuar, kap drogë në vlerë rreth 15 mijë euro
Policia e Kosovës pas pranimit të informacioneve se persona të dyshuar dyshohet se janë duke u marrë me shitblerjen e narkotikëve ka ndërmarrë veprime hetimore dhe operative në terren me ç’rast gjatë një operacioni policor të koduar ‘Blloku’ kanë arrestuar katër persona të dyshuar.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka arrestuar katër persona të dyshuar dhe ka sekuestruar drogë me vlerë rreth 15 mijë euro, gjatë një operacioni policor të koduar ‘Blloku’.
Policia ka njoftuar se më 24 mars në Prishtinë pas një pune operative kanë ndaluar një automjet të dyshuar në magjistralen Prishtinë- Podujevë në të cilën ndodheshin dy të dyshuarit.
Gjatë kontrollimit të veturës është gjetur një sasi e substancës narkotike e llojit marihuanë me peshë prej 10.4 gramë, me ç’rast personat e dyshuar janë shoqëruar në stacion policor.
“Operacioni policor ka vazhduar tutje për identifikimin e veturës së dytë të dyshuar dhe personave të tjerë të përfshirë në rast. Dy të dyshuarit meshkuj kosovarë të cilët përkundër tentativës për të ikur dhe pas hedhjes së substancës narkotike në tokë në sasi prej 420.2 gramë, të njëjtit janë arrestuar nga hetuesit policor”, ka njoftuar Policia e Kosovës .
Në lidhje me rastin është njoftuar prokurori kompetent dhe në konsultim me të njëjtin hetuesit policorë kanë kryer kontroll në banesën të cilën e kanë shfrytëzuar të dyshuarit.
“Aty janë gjetur një paketim me bari të gjelbër e dyshuar për narkotik të llojit marihuanë me peshë 1063.8 gramë, një qese me bari të gjelbër e dyshuar për narkotikë të llojit marihuanë me peshë 31.8 gramë, sasi e pluhurit ngjyrë të bardhë e dyshuar për narkotik të llojit kokainë me peshë 22.6 gramë dhe tri peshore digjitale “, thuhet tutje në njoftim.
Sipas policisë, vlera e substancës narkotike e shitjes parashihet të jetë rreth 15 mijë euro.
“Në vendin e ngjarjes ka dalë njësia e Forenzikës Rajonale – Prishtinë e cila ka bërë fotografimin dhe konfiskimin e të gjitha dëshmive të gjetura si prova material, ndërsa nga personat e dyshuar dy prej tyre pas intervistimit te tyre me urdhër të prokurorit janë liruar, ndërsa dy të dyshuarit tjerë janë dërguar në mbajtje për 48-orë”, thuhet tutje në njoftim. /Kosova.info/

