Plakolli: Dega e LDK-së në Mitrovicë, më e bashkuar se kurrë – Safet Kamberi do të prijë listës për asamblenë komunale

Kryetari i Degës së LDK-së në Mitrovicë, Gëzim Plakolli, ka deklaruar se dega që ai udhëheq po hyn në një fazë të re, të karakterizuar nga uniteti dhe bashkëpunimi. Ai e cilësoi bashkimin e strukturave si forcën më të madhe që do të udhëheq LDK-në drejt fitores në zgjedhjet komunale.

“Sot, më shumë se kurrë, dega e Mitrovicës po dëshmon se fuqia jonë qëndron në unitet. Bashkimi i të gjitha energjive, ideve dhe vullneteve tona është themeli mbi të cilin do të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për qytetin tonë dhe për vendin,” u shpreh Plakolli.

Ai gjithashtu bëri të ditur se Safet Kamberi do të jetë bartësi i listës së LDK-së për Asamblenë Komunale në Mitrovicë duke e cilësuar këtë si një vendim që reflekton besim, përvojë dhe vullnet të përbashkët për të fituar.

“Ky bashkim nuk është thjesht një akt simbolik – është një angazhim i sinqertë për të ecur përpara, për t’i dhënë forcë LDK-së tonë dhe për të vendosur interesin qytetar mbi gjithçka tjetër,” theksoi Plakolli.

Dega e LDK-së në Mitrovicë po shfaqet gjithnjë e më e konsoliduar në prag të zgjedhjeve, me synimin për t’i ofruar qytetarëve një alternativë të besueshme dhe të bashkuar për qeverisje lokale. /Kosova.info/


Go to TOP