Petritsch: Tani i takon Kosovës të përmbushë obligimet e saj dhe të themelojë Asociacionin

Ish-i dërguari i posaçëm i BE-së për Kosovën, Wolfgang Petritsch, e konsideron të besueshme kthesën e mundshme të Serbisë në politikën e saj ndaj Kosovës dhe thotë se tani i takon Kosovës të përmbushë obligimet e saj.

“Po përgatitet një hap që është shumë i vështirë për palën serbe”, shpjegoi Petriç në një deklaratë për agjencinë APA. Ai theksoi se presidentit serb Aleksandar Vuçiq e ka të qartë se duhet të veprojë dhe në të njëjtën kohë është rritur presioni ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili është në lëvizje.

Petritsch është optimist se me planin e ri gjermano-francez është arritur një pikë nga e cila do të lëvizë diçka. “Edhe një herë, doli se përparimi është i mundur vetëm kur evropianët dhe amerikanët tërhiqen në të njëjtën anë të litarit”, shtoi Petritsch.

Presionet nga të dyja palët janë të mëdha, vlerëson ai dhe thekson se Serbia duhet të fillojë negociatat për planin gjermano-francez, e në anën tjetër Kosova të zbatojë Asociacionin e Komunave Serbe.

“Nëse fillon puna për këtë, do të ishte një përparim i madh, i ngjashëm me të cilin nuk është regjistruar në rajon për shumë vite”, tha Petritsch. Ai niset nga fakti se deklarata e fundit e Vuçiqit, se ai mund ta pranonte propozimin, është e besueshme, pasi tani shumë varet nga kjo.

Petritsch theksoi se nuk bëhet fjalë më vetëm për çështje territoriale, por për interesa ekonomike dhe politike të Serbisë. Ai theksoi se presidenti Vuçiq ka ndërtuar një politikë të suksesshme ekonomike që mbështetet në investime dhe për shkak të kësaj, ai nuk mund të përballojë brenda vendit që investitorët gjermanë t’i kthejnë shpinën Serbisë.

Tani, shton ai, Kosova është në lëvizje dhe duhet të kryejë detyrat e saj, duke themeluar Asociacionin, e cila deri më tani ishte refuzuar nga qeveria e Albin Kurtit. Ai gjithashtu vlerëson se nuk mund të pritet që Kosova të pranohet shpejt në OKB, sepse Rusia nuk do të pajtohet me këtë në të ardhmen e parashikueshme.

“Kjo e dallon çështjen e Kosovës nga zgjidhja gjermano-gjermane, sepse atëherë të dyja vendet u pranuan në OKB”, përkujtoi ai. Petritsch, në të njëjtën kohë, vlerësoi se rreziku që buron nga Rusia është i mbidramatizuar, se mund ta prishë marrëveshjen.

Rusia, beson ai, ka probleme të tjera, por shton se Serbia nuk do të ndahet plotësisht nga Rusia derisa të zgjidhet çështja e Kosovës, si për shkak të varësisë nga gazi, ashtu edhe për shkak të mbështetjes politike të Moskës për anëtarësimin e Kosovës në OKB.

Ai tha, sa i përket BE-së, se dobësia e saj është se pesë anëtarë nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. “Si mund t’i kërkohet Beogradit të njohë Kosovën, kur pesë anëtarë të BE-së nuk e kanë bërë këtë?” Diçka duhet të lëvizë atje”, është i bindur ai, duke shtuar se kompleksiteti i konfliktit është një lojë shahu tredimensionale.

Go to TOP