Pesë dorëheqje vetëm të enjten nga kabineti qeveritar i kryeministrit britanik Boris Johnson

Brandon Lewis ka dhënë dorëheqje nga pozita e sekretarit të Irlandës së Veriut pas refuzimit të kryeministrit britanik, Boris Johnson për të dhënë dorëheqje, duke marrë parasysh thirrjeve nga disa prej ministrave të kabinetit të tij.

“Një qeveri e denjë dhe e përgjegjshme mbështetet në ndershmërinë, integritetin dhe respektin reciprok. Është një çështje e keqardhjes së thellë personale që duhet të largohem nga qeveria pasi nuk besoj më se ato vlera po mbështeten”, ka shkruar Lewis në Twitter.

“Unë i kam dorëzuar kryeministrit letrën e dorëheqjes”.

Lewis i cili ka qenë sekretar i Irlandës së Veriut që nga viti 2020, kishte qenë më parë në mesin e ministrave të kabinetit që i thanë Johnsonit se duhet të dëgjonte pikëpamjen dërrmuese të Partisë Konservatore dhe të jepte dorëheqjen, kupton Sky News.

Përveç Lewis, dorëheqje këtë mëngjes kanë thënë edhe ministrja e Thesarit, Helen Whatley, ministri i Sigurisë Damian Hinds, ministri i Pensioneve, Guy Opperman dhe ministri i Shkencës, George Freeman.

Në anën tjetër, një burim i lartë i numrit 10 tha për Sky News se Johnson po mbetet “absolutisht sfidues” dhe “nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen”, duke shtuar se kryeministri dëshiron të “luftojë”.

Dorëheqjet e ministrave vijnë për shkak të mos-reagimit të kryeministrit britanik rreth akuzave për ngacmim seksual të një deputeti konservator.

Go to TOP