Perquku shpall kandidaturën për mandatin e katërt në Kuvendin Komunal të Vushtrrisë

Agron Perquku, anëtar i Kuvendit Komunal të Vushtrrisë për tre mandate me radhë, ka shpallur kandidaturën e tij për një mandat të katërt duke garuar me numrin 8 në listën e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).

Në një adresim drejtuar bashkëqytetarëve, Perquku e cilësoi përfaqësimin e deritanishëm si nderin më të madh dhe obligim moral duke theksuar se synon të vazhdojë punën me forcë, përkushtim dhe vizion të qartë. Ai u zotua për shërbime transparente dhe rikthimin e Vushtrrisë në identitetin e saj historik, në bashkëpunim me listën e LDK-së dhe kandidatin për kryetar të komunës, Xhafer Tahirin.

Perquku tha se mbetet i frymëzuar nga vizioni dhe trashëgimia politike e presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova duke falënderuar veçanërisht komandant Anton Qunin dhe kryetarin e LDK-së në Vushtrri, Xhafer Tahirin, për kontributin e tyre. Ai premtoi se do të vazhdojë të punojë pa u ndalur për një Vushtrri të zhvilluar, të drejtë dhe me dinjitet. /Kosova.info/


Go to TOP