Përpjekje për frenimin e çlirimit të metanit

Në tokë dhe në hapësirë, janë duke u bërë disa përpjekje për të frenuar emetimin e metanit ndotës, një gaz i dëmshëm që kontribuon në ngrohjen globale. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Veronica Balderas Iglesias sjell të reja dhe politikat më të fundit në fuqi, ndërsa Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë paralajmëron se po ngushtohet koha për të fituar luftën kundër ndryshimeve klimatike.

Duke iu bashkuar luftës kundër ndryshimeve klimatike, sateliti i parë i zhvilluar nga një organizatë jofitimprurëse mjedisore u dërgua në orbitë në fillim të muajit mars.

‘MethaneSAT’ tregon se ku ka sasi të madhe të rrjedhjes së metanit në mbarë botën. Të dhënat mund të ndihmojnë palët e interesuara të kontrollojnë këto rrjedhje të metanit.

“Burimi më i madh industrial i metanit është industria e naftës dhe gazit. Për këtë arsye ne i kemi përqëndruar përpjekjet tona për të kufizuar ndotjen e mjedisit me metan nga industria e naftës dhe ajo e gazit. Burime të tjera të mëdha të emetimit të metanit janë bujqësia, deponitë mbetjeve dhe qendra të tjera të ngjashme”, thotë Jon Godlsetin nga Fondi i Mbrojtjes së Mjedisit.

Metani është kontribuesi i dytë më i madh i ngrohjes globale pas dioksidit të karbonit. Më shumë se 150 vende, përfshirë Shtetet e Bashkuara, kanë premtuar reduktime të konsiderueshme të emetimit të metanit deri në vitin 2030.

Ne mesin e masave për arritjen e këtij qëllimi është shpallja në fund të marsit e Rregullit përfundimtar të Frenimit të Mbetjeve të Metanit me rregullore të përditësuara për operatorët e naftës dhe gazit në tokat federale dhe ato të fiseve autoktone të indianëve të Amerikës.

Aktivistët e mbrojtjes së mjedisit janë të kënaqur me këtë.

“Si nga perspektiva fiskale edhe nga ajo klimatike, është e logjikshme që kompanitë e naftës dhe gazit, që po nxjerrin naftë në tokat publike të Amerikës, të detyrohen të kapin metanin. Nëse nuk janë në gjendje ta bëjnë këtë, atëherë është e logjikshme që ata të paguajnë më tepër për përdorimin e tokave publike”, thotë Aaron Weiss nga Qendra për Përparësitë Perëndimore

Presidentja e Aleancës Perëndimore të Energjisë, Kathleen Sgamma, i tha Zërit të Amerikës se organizata e saj po rishikon rregullin e ri dhe pohoi se industria e naftës dhe gazit ka kohë që po jep kontributin e saj për të ulur emetimin e gazeve të dëmshme.

“Ne po reduktojmë vazhdimisht emetimet e metanit. Rregulloret vazhdojnë të bëhen më të rrepta dhe kërkojnë më pak emetime. Pra, ne me të vërtetë si vend po bëjmë shumë për të reduktuar emetimin e gazeve të dëmshme”, thotë ajo.

Në raportin e saj të fundit të quajtur “Gjurmimi Global i Metanit”, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë paralajmëron se prodhimi dhe përdorimi global i lëndëve djegëse fosile rezultoi në rreth 120 milionë tonë metrikë emetime të metanit në vitin 2023.

Kjo agjenci u bëri thirrje Shteteve të Bashkuara dhe ndotësve të tjerë më të mëdhenj që të bëjnë më shumë për të reduktuar emetimet nëse dëshirojnë të shmangin fatkeqësitë klimatike. Qasja globale për të luftuar ndryshimet klimatike do të përfitonte gjithashtu nga partneritetet më të forta, thonë disa studiues.

“Ne duhet të bëjmë diçka që do të çonte në një ulje më të shpejtë të ngrohjes globale, dua të them shumë shpejt brenda 10 deri 20 vitesh. Shpresoj se kjo mund të arrihet përmes një bashkëpunimi mes industrisë së naftës dhe gazit, shkencëtarëve dhe hartuesve të politikave”, thotë Veerabhadran Ramanathan nga Universiteti i Kalifornisë në San Diego.

Pa një përpjekje të përbashkët për të luftuar ndryshimet klimatike, shkencëtarët thonë se ngjarjet ekstreme të motit në mbarë botën do të bëhen më të shpeshta dhe më të forta

Go to TOP