Përleshje dhe arrestime para finales Crystal Palace-Vallecano

Tensione dhe përleshje mes tifozëve kanë shoqëruar atmosferën para finales së Conference League që do të zhvillohet sonte në Leipzig të Gjermanisë, ndërmjet Crystal Palace dhe Rayo Vallecano.

Sipas autoriteteve gjermane, incidentet kanë ndodhur mbrëmjen e së martës në qendër të qytetit, ku qindra tifozë të të dyja skuadrave janë përfshirë në konfrontime verbale dhe fizike, duke detyruar ndërhyrjen e forcave të policisë.

Policia e Leipzigut ka bërë të ditur se gjatë incidenteve janë lënduar dy zyrtarë policorë, megjithëse ata kanë vazhduar detyrën pas trajtimit të marrë.

Autoritetet konfirmuan gjithashtu se dy persona janë arrestuar, ndërsa më shumë se 300 tifozë janë identifikuar dhe ndaj tyre është lëshuar urdhër për largim nga zonat problematike, me qëllim ruajtjen e sigurisë para ndeshjes finale.

Masat e sigurisë në Leipzig janë shtuar ndjeshëm gjatë orëve të fundit, pasi mijëra tifozë anglezë dhe spanjollë kanë mbërritur në qytetin gjerman për finalen e madhe të Conference League.


Go to TOP