Përjetësohet në këngë heroizmi i dëshmorit Ymer Alushani, komandant “Voglushi”

Trimëria dhe heroizmi i luftëtarit të UÇK-së, dëshmorit Ymer Alushani – komandant “Voglushi” është përjetësuar nga këngëtari Skender Hasi.

Ymer Alushani, të cilin për trimërinë dhe heroizmin e treguar në luftë e quanin luani i Grykës së Llapushnikut – Komondant “Voglushi”

Familja Alushani nga Komorani i Drenicës, e cila me veprimtarinë patriotike i krijoi një histori të lavdishme vetes, që do të bartet brez pas brezi.

Kur ndodhi shthurja e ish-Jugosllavisë dhe nisën lëvizjet e para të rezistencës në Drenicë, menjëherë pas viteve të ’90-ta, Ymer Alushani do të kontaktojë edhe me komandantin legjendar Adem Jashari për çështjen e grumbullimit të armëve.

Se Ymeri ishte në përpjekjet e para të rezistencës ekzistojnë dëshmi dhe dëshmitarë të cilët pohojnë se Ymeri luftën dhe rezistencën e armatosur e shihte si njërën nga rrugët që Kosovën do ta nxirrte përfundimisht nga pushtimi serb.

Rezistenca e parë në Prekaz, më 30 dhjetor 1991, ishte sinjal i qartë se Drenica do të ngrehte krye kundër pushtuesit. Komandanti legjendar Adem Jashari me këtë rezistencë u bë frymëzim edhe për Ymerin dhe shokët e tij. Armët që i posedonte atë periudhë Ymeri llogariteshin për armatimin e një togu ushtarësh.

Fundi i vitit 1997 dhe dalja publike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishin ndër shenjat më serioze që paralajmëronin se përleshjet e drejtpërdrejta me pushtuesin do të shpeshtoheshin. Luftimet në Qafëmalin ndërmjet Rrezallës së Re dhe Rakinicës dhe qëndresa mbinjerëzore e Jasharëve më 28 janar, e veçanërisht më 5, 6, 7 dhe 8 mars të vitit 1998, lëkunden zemrat e mbarë shqiptarëve anekënd trojeve etnike dhe në mërgim.

Në mesin e të rinjve që nuk po pajtoheshin me dhunën dhe terrorin që po ushtronte regjimi gjakatar i Millosheviqit, ishte edhe Ymer Alushani që gjatë luftës do ta marrë nofkën “Vogëlushi”.

Ai ishte në krye të njësitit që po bënte luftë heroike në Grykën e Llapushnikut, ku edhe ra dëshmor më 26 korrik 1998.

Go to TOP