Përgatitjet për misionin hapësinor në Hënë “Artemis II”

NASA përfundoi prodhimin e një pajisjeje kyçe të sistemit të fluturimit hapësinor, që do të përdoret për dërgimin e astronautëve në Hënë. Mjeti lëshues i misionit “Artemis II” është prodhuar në Qendrën Hapësinore Marshall në Hantsvil të Alabamës dhe po transportohet me rrugë ujore në një udhëtim dy-javor drejt Qendrës Hapësinore Kennedy në Florida.

Zyrtarët e NASAs thonë se mjeti konik 27 metra i gjatë është pjesë e rëndësishme e platformës së lëshimit për misionin e ardhshëm në Hënë, “Artemis II”.

Kjo pajisje do të mbrojë motorët e anijes hapësinore, që do të bëjë një fluturim prove rreth Hënës.

“Ky mjet i rëndësishëm për sistemin e lëshimit në hapësirë po ngarkohet në platformën lundruese “Pegasus” për udhëtimin drejt Qendrës Hapësinore Kennedy. Është kryesisht një pjesë strukturore, që do të përdoret për bartjen e ngarkesave në platformën e lëshimit të anijes hapësinore Orion”, shpjegon Matthew Ramsey, menaxher i misionit “Artemis II”.

Pjesë e misionit “Artemis II” është dërgimi i katër astronautëve rreth Hënës në një fluturim 10-ditor në shtator të vitit 2025.

Lauren Fisher, inxhiniere e materialeve strukturore në Qendrën Marshall të Fluturimit në Hapësirë, është pjesë e ekipit që po punon në programin Artemis.

“Unë gjithmonë kam shpresuar se do të kthehemi në Hënë. Nuk e mendoja se do të isha pjesë e një ekipi kaq të rëndësishme të realizimit të këtij misioni. Jam shumë krenare dhe e lumtur që jam pjesë e këtij programi”, thotë ajo.

Edhe menaxheri i misionit “Artemis II”, Matthew Ramsey është i emocionuar.

“Është një punë e madhe sepse kanë kaluar 50 vjet që kur kemi dërguar njerëz në Hënë”, thotë ai.

Anëtarët e ekuipazhit të misionit “Artemis II” janë astronautët Jeremy Hansen, Victor Glover, Reid Wiseman dhe Christina Hammock Koch.

NASA shpreson se fluturimi rreth hënës do t’i hapë rrugën astronautes Hammock Koch të bëhet gruaja e parë që do të shkelë në Hënë në misionin e ardhshëm, “Artemis III”.

“Astronautët janë njerëz fantastikë. Christina është e mrekullueshme. Mendoj se ajo mund të ketë vendosur rekordin e qëndrimit më të gjatë të një gruaje amerikane në hapësirë. Pra, kemi të bëjmë me njerëz, që janë të avancuar në fushën e shkencës dhe teknologjisë”, thotë zoti Ramsey.

Misioni i ri në Hënë është shumë më bashkëpunues dhe ndërkombëtar se misionet e mëparshme Apollo, thekson zoti Ramsey.

“Nuk është një lloj programi monolit, ku vetëm Shtetet e Bashkuara do të jenë të angazhuara. Ndërsa ne vazhdojmë të zhvillojmë teknologjinë tonë, ne do të bashkëpunojmë edhe me kanadezët, sauditët dhe evropianët”, thotë ai.

Pas mbërritjes së strukturës konike në Qendrën Hapësinore Kennedy në Florida, inxhinierët do të punojnë për ta përgatitur anijen për lëshim në hapësirë.

Go to TOP