Përfundon dëshminë dëshmitari i gjashtë në rastin e Pjetër Shalës
Gjatë seancës së sotme në gjykimin ndaj Pjetër Shalës, ka përfunduar dëshminë e tij dëshmitari i gjashtë me radhë me kodin 11 në këtë rast.
Pas pushimit të drekës, dëshmitari ka vazhduar të përgjigjet në pyetjet e mbrojtjes së Shalës, konkretisht të avokatit Jean-Louis Gilissen, i cili proces është zhvilluar në seancë private.
Tutje, i njëjti është përgjigjur edhe në pyetjet e trupit gjykues.
Dëshmitari gjatë përgjigjes në pyetjet e anëtarit të trupit gjykues, gjykatësit Gilbert Bitti konfirmoi se kur kishte shkuar në dhomën e ndalimit kishin qenë 7-8 persona.
Ai i tha se i kujtohet që ka thënë në deklarime të mëparshme se kur ishte i ndaluar kishin ardhur të burgosur të rinj dhe disa nga grupi i parë ishin larguar.
‘‘Juve në deklaratë të mëparshme keni thënë se kur ishit të ndaluar erdhën të burgosur të rinj dhe disa nga grupi i parë janë larguar, ju kujtohet ta kesh thënë këtë’’, pyeti gjykatësi Bitti, dhe dëshmitari u përgjigj me ‘‘Po’’.
Por, ai tha se nuk i kujtohet se sa persona janë larguar dhe sa mund të kishin ardhur gjatë periudhës sa ai ishte i ndaluar.
Në momentin kur dëshmitari u pyet për vëllezërit romë, të cilët dëshmitari i ka përmendur edhe gjatë dëshmisë së djeshme, seanca ka kaluar në sesion privat.
Tutje, ai ka thënë se nuk e dinte se çfarë ndodhte me personat që merreshin nga dhoma dhe dërgoheshin për t’u marr në pyetje dhe se ai personalisht nuk kishte dëgjuar të bërtitura, qarje apo ankesa.
I pyetur se kur ktheheshin ata në dhomë, çfarë shihte tek ata, ai tha se ‘‘nuk kom mujt me vrejt se ka qenë terr’’.
I ballafaquar me deklarata të mëhershme, gjykatësi Bitti ia lexoj një fragment të të cilin dëshmitari kishte thënë se kur ktheheshin këta persona ishin në gjendje sa nuk mund të rrinin në këmbë.
‘‘Këtë e keni thënë në 2009, dhe po citoj, këtë që keni thënë dhe do të ju pyes nëse e mbani mend, nëse duke u lexuar do të ju kujtohet, “kur më pyesnin e dija që shpresoni se do më merrni në pyetje gjatë ditës sepse mendimi i të marrit në pyetje natën ishte i frikshëm, sepse ata që i merreshin në pyetje natën, kur vinin, kur ktheheshin në dhomë ishte jo diçka për të pasur zili”, dhe pastaj ju pyeten se pse, dhe ju keni thënë “ishin rrahur kaq shumë sa mezi qëndronin në këmbë, ishin më shumë se që ishin rrahur”, a ju kujtohen këto fjalë z. dëshmitar’’, tha gjykatësi e që dëshmitari tha se ‘‘Po më kujtohet’’.
Për këtë, ai tha se mund të i vërente në mëngjes por se tek ta nuk kishte parë gjak, nuk kishte parë shenja në fytyrë por që ata kishin ndjerë dhimbje në trup.
Pas përfundimit të dëshmisë së dëshmitarit, mbrojtësi i viktimave ka propozuar që palët dhe pjesëmarrësit të i fusin në sistem vetëm ato materiale që janë shtesë të listës së materialeve të palëve, kjo për të thjeshtësuar procedurat.
Dëshmitari thotë se Kryeziu ishte i befasuar lidhur me arsyen pse ai ishte i mbyllur në fabrikën e metalit në Kukës
(Përditësuar, ora 14:00)-Dëshmitari i gjashtë me radhë me kodin 11 duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtjes së Pjetër Shalës ka thënë se Osman Kryeziu, personi që e kishte marr në pyetje sa kishte qenë i mbyllur në fabrikën e metalit në Kukës ishte befasuar me arsyen se pse ai ishte brenda.
‘‘Normal tha që jam i befasuar për çfarë arsye je mrena’’, tha dëshmitari.
Tutje, ai tha se pas intervistës me të, me sa i kujtohet ishte liruar pas dy jave e që për këtë avokati Jean-Louis Gilissen e ballafaqoi me deklaratën e tij të mëhershme i cili kishte thënë se ishte liruar një ditë pas intervistës me Kryeziun.
‘‘Nuk më kujtohet, se unë jam liruar kur është qel dera që ka hy NATO në Kosovë, atëherë është qel dera dhe kam dal jashtë, tjetër nuk më kujtohet’’, tha përsëri ai.
Tutje, nga ai është kërkuar që të identifikoi një person me anë të një fotografie (jo publike), që pretendohet si kishte qenë i ndaluar në të njëjtën kohë me dëshmitarin por që DhSK ka vendosur që kjo pjesë të jetë me përmbajtje të redaktuar.
Seanca është duke vazhduar me sesion privat.
Dëshmitari thotë se Krasniqi nuk kishte qenë në dijeni për lëndimet trupore që kishte pësuar ai në fabrikën e metalit në Kukës
(Përditësuar, ora 13:25)- Dëshmitari i gjashtë me radhë (me kodin 11), duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të Pjetër Shalës, avokatit Jean-Louis Gilissen, ka thënë se Xhemshit Krasniqi nuk kishte qenë në dijeni për rrahjen ndaj tij në kohën kur ishte ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës.
Dëshmitari tha se Krasniqi kishte vizituar të ndaluarit njëherë dhe kishte pyetur se kush e ka rrahur dhe a e ka parë atë person.
“Ai pyeti se kush më ka ra dhe a e ke pa, i thash jo nuk e kam njoftë se e kam pas kryer e ulun vetëm kur e kam pa që më ka ra në sy”, ka thënë dëshmitari.
Tutje, ai pohoi se Krasniqi nuk kishte qenë në dijeni se e kishin rrahur dhe lënduar.
Dëshmitari po ashtu ka thënë se Krasniqi i kishte vizituar vetëm njëherë dhe atëherë ju kishte dërguar batanijet.
Sipas tij, pas diskutimit që kishte pasur me Krasniqin, atë nuk e kishin rrahur më.
Seanca ka vazhduar në sesion privat.
Dëshmitari thotë se nuk e ka njohur Pjetër Shalën në vitin 1999
(Përditësuar, ora 12:36)- Dëshmitari i gjashtë me radhë (me kodin 11), duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të Shalës, avokatit Jean-Louis Gilissen, ka thënë se nuk e ka njohur Pjetër Shalën në vitin 1999, kur edhe ishte ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës.
Ndërkaq, ai ka pohuar të ketë pasur lidhje Xhemshit Krasniqi me ndalimin dhe arrestimin e tij.
“A bëni lidhje ju për ndalimin dhe arrestimin tuaj me z.Krasniqi ?”, ka pyetur avokati Jean-Louis Gilissen,
“Po”, është përgjigjur dëshmitari.
Dëshmitari tutje tha se para vitit 1999 nuk e kishte njohur Krasniqin apo ndonjë anëtarë të familjes së tij.
Ndërkaq, seanca ka kaluar në sesion privat, pasi që dëshmitari është pyetur nga avokati Louis Gilissen se a është fans i futbollit dhe i njëjti ka pohuar se është.
Dëshmitari thotë se e ka përjetuar rëndë kohën sa ka qenë i mbyllur në fabrikën e metalit në Kukës
(Përditësuar, ora 12:05)- Dëshmitari i gjashtë me radhë (me kodin 11), duke vazhduar të përgjigjet në pyetjet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), tha se ndalimin, rrahjet dhe frikën që e kishte pasur sa ka qenë i ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës, i kishte përjetuar rëndë.
“Si një njeri, i kam përjetu ron, jo bash lehtë”, u deklarua ai.
Dëshmitari po ashtu tha se kishte qenë i shqetësuar për familjen e tij dhe si ata kishin arritur të siguronin jetesën në mungesë të tij.
“Po isha i shqetësuar, e kam pas babën diku afër 80 vite, kështu që pak a shumë nuk kanë mujt m’u gjete..”, shtoi dëshmitari.
Paraprakisht, dëshmitari tha se lirimi i tij ka ndodhur kur ka hyrë NATO në Kosovë, duke shtuar se ‘‘u çelën dyert dhe vetëm kanë dalë prej aty’’.
Ai tha se gjatë periudhës sa ka qenë i mbajtur është marrë në pyetje nga një person, për të cilin pas luftës e kishte kuptuar se kishte qenë Osman Kryeziu dhe tha se e kishte parë vetëm një herë pas asaj ngjarjeje.
Dëshmitari u ballafaqua me deklaratë të mëhershme, pasi që tha se ky person nuk i kishte thënë se cilës organizatë i përkiste, kurse para ZPS-së në intervistë kishte thënë se ai ishte prezantuar si prokurori i UÇK-së.
Lidhur me këtë, ai tha se ‘‘nuk më kujtohet të vërtetën me ua thanë, ka mundësi edhe që më ka thanë’’.
Tutje, dëshmitari me anë të një fotografie të prezantuar para tij, ka identifikuar se ai që kishte dalë në foto kishte qenë Osman Kryeziu, personi që e kishte marrë në pyetje.
‘‘Më ka bërë pyetje çka ke punuar, ku ke qenë në kohë të luftës, ofensivës dhe qisi pyetje’’, tha ai lidhur me atë se çfarë ishte pyetur nga Kryeziu.
Po ashtu, dëshmitari tha se as ai apo ndonjë tjetër nuk e kishte informuar se pse ishte ndaluar për më shumë se një muaj në atë vend.
Në këtë fazë të gjykimit, ZPS ka përfunduar pyetjet ndaj këtij dëshmitari, mbrojtësi i viktimave është deklaruar se nuk do të ketë pyetje për të, ndërsa pas pushimit pritet të vazhdohet me pyetje nga ana e mbrojtjes.
Vazhdon dëgjimi i dëshmitarit të gjashtë në gjykimin ndaj Pjetër Shalës
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, edhe të mërkurën po vazhdon dëgjimi i dëshmitarit të gjashtë (me kodin 11), në gjykimin ndaj Pjetër Shalës.
Dëshmitari i gjashtë filloi dëshminë e tij të martën, ndërsa sot pritet të vazhdojë ende të pyetet nga ana e Prokurorisë, më pas do të vazhdojnë pyetjet nga mbrojtësi i viktimave dhe në fund nga mbrojtja.
Për të tretën ditë me radhë, Pjetër Shala është duke e ndjekur seancën përmes video-lidhjes.
Dëshmitari, duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit Filippo De Minicis, tha se Xhemshit Krasniqin nuk e kishte parë herë të tjera, përveç kur e kishte marrë nga fabrika e metalit dhe ia kishte thënë emrin.
Tutje, ai tha se në dhomën ku ishin mbajtur të ndaluar nuk kishin pasur gjithmonë dyshekë për të fjetur.
Pas këtyre, prokurori De Minicis kërkoi që të kalohet në seancë private, pasi sipas tij do të diskutohet për persona të mbrojtur.
Më 25 prill, Shala e ka dorëzuar dosjen paraprake për gjykimin që po zhvillohet ndaj tij.
Ndryshe, gjatë muajit shkurt ka filluar gjykimi ku më 21 shkurt Prokuroria dhe mbrojtja e viktimave kanë paraqitur deklaratat e tyre hyrëse, kurse më 22 shkurt janë dëgjuar deklaratat hyrëse të mbrojtjes së Pjetër Shalës, si dhe deklarata pa betim e tij.
Në mars ka filluar paraqitja e provave të Prokurorisë, ku deri më tani janë dëgjuar pesë dëshmitarë dhe po vazhdon dëgjimi të gjashtit.
Dëshmitari i parë ka filluar dëshminë e tij më 27 mars dhe e ka përfunduar më 28 mars, dëshmitarja e dytë ka filluar dëshminë më 28 mars dhe e ka përfunduar më 29 mars, dëshmitari i tretë ka filluar më dëshminë më 29 mars dhe e ka përfunduar më 30 mars, në të njëjtën ditë me dëshmitarin e katërt.
Kurse, dëshmitari i pestë e filloi dëshminë më 1 maj, ndërsa e përfundoi më 2 maj, ku edhe filloi dëshmia e dëshmitarit të gjashtë.
Këta dëshmitarë ishin paraparë të dëgjoheshin për pesë seanca, por meqë të njëjtit kanë përfunduar dëshmitë për katër ditë, seanca e 31 marsit 2023 nuk është mbajtur.
Ndryshe, Shala u arrestua më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.
“Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatë. /BetimipërDrejtësi
