Për 10 vjet janë paguar mbi 130 milionë euro nga qytetarët për rrymën e konsumuar në veri të Kosovës, kërkohet zbatimi i Marrëveshjes për Energjinë

Humbjet e energjisë elektrike brenda 10 vjetëve janë 132.5 milionë euro, thuhet në raportin “Pagesat për konsumin e energjisë elektrike në komunat veriore në Kosovë“, prezantuar nga Instituti për Studime të Avancuara GAP.

Sipas dokumentit, kosto e shpenzuar për mbulimin e këtyre shpenzimeve gjatë dekadës së fundit është 11 milionë euro në vit.

“Nga viti 1999 e deri në 2017, kostot e këtyre shpenzimeve janë konsideruar si ‘humbje të energjisë’ dhe rrjedhimisht janë përfshirë në faturat e konsumatorëve të qyteteve tjera të Kosovës. Është llogaritur që përafërsisht faturat e qytetarëve në këtë periudhë ishin për rreth 3.5 për qind më të shtrenjta. Mesatarisht, kosto e shpenzuar për mbulimin e këtyre shpenzimeve gjatë 10 viteve të fundit është 11 milionë euro në vit, ndërsa si total, janë shpenzuar 132.5 milionë euro”, thekson GAP.

Aty thuhet se në vitin 2021 kjo kosto kishte qenë 38 milionë euro.

“Deri në vitin 2018, kjo kosto ishte më e ulët se 10 milionë euro në vit. Ndërsa nga viti 2018, ka filluar të rritet, duke arritur kështu vlerën më të lartë në vitin 2021, prej rreth 38 milionë euro”, thuhet aty.

Në fund, Instituti GAP rekomandon që të sigurohet një zbatim adekuat i Marrëveshjes për Energjinë, të arritur në Bruksel.

“Në mënyrë që të ofrohet një zgjidhje për këtë situatë, në vitin 2013 u nënshkrua Marrëveshja për Energjinë në mes të Kosovës dhe Serbisë, përcjell nga një Udhërrëfyes për Zbatimin e Marrëveshjes së parë në vitin 2015. Mirëpo, asnjëra nga këto nuk kishin gjetur zbatim, deri në arritjen e një marrëveshjeje të re më 21 qershor të këtij viti, ku Serbia dhe Kosova u dakorduan për aprovimin e një udhërrëfyesi për zbatimin e marrëveshjeve për energjinë të arritur në vitin 2013 dhe 2015. Me ç’rast, më 24 qershor 2022, Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) ia ka lëshuar licencën ndërmarrjes Elektrosever, e cila do të blejë dhe shes energji elektrike për të shërbyer konsumatorët e komunave veriore”, thuhet në raport.

“Në rast të zbatimit të kësaj marrëveshjeje, qytetarët në komunat veriore do të faturohen dhe do të paguajnë për energjinë elektrike të konsumuar. Andaj, një rekomandim nga Instituti GAP është që të sigurohet një zbatim adekuat dhe sipas afateve i kësaj marrëveshjeje nga të gjitha palët e përfshira”, përfundon GAP.

Go to TOP