Pensionistët e Prishtinës gjejnë mbështetje në qendrat ditore

Pensionistët e Prishtinës, krahas qendrës kryesore të pensionistëve, po gëzojnë gjithnjë e më shumë mundësi për rekreacion dhe socializim falë qendrave ditore kulturore për të moshuar, të cilat funksionojnë pranë Xhamisë së Llapit dhe në Aktash.

Këto hapësira, të mundësuara nga komuna e Prishtinës, ofrojnë takime të përditshme ku të moshuarit jo vetëm që takohen për të biseduar dhe për të evokuar kujtime, por edhe gëzojnë pije falas.

Komuna ka premtuar edhe për funksionalizimin e tyre në lagjet e tjera.

Për më tepër, autobusët e Trafikut Urban janë gjithashtu falas për pensionistët, një lehtësim i rëndësishëm për buxhetin e tyre të kufizuar.

Shpresa, 69 vjeçe, tha për Kosova.info se, qendrat ditore janë një oazë për ta.

“Nuk është vetëm për takime e shoqëri, por një mundësi për të dalë nga rutina e përditshme. Duke qenë se pensionet nuk mjaftojnë, të pish një kafe falas apo të lëvizësh me autobus pa pagesë është ndihmë e madhe,” thotë Shpresa, e cila i frekuenton rregullisht.

“Me pensionin e vogël që marr, më duhet të zgjedh mes ilaçeve dhe gjërave të tjera,” thotë Hasimi 74 vjeç.

Sipas tij, këto qendra u ofrojnë një vend për t’u qetësuar e për t’u bashkuar me miq të vjetër.

“Gjithashtu, transporti falas na ndihmon shumë të shkojmë ku kemi nevojë pa shpenzuar,” thekson Hasimi.

Edhe për 71 vjeçin, Fehmiun, këto qendra ditore janë më se të mirëseardhura.

“Komuna ka bërë një gjë të mirë për ne. Nuk është vetëm për argëtim, por edhe për të ruajtur shëndetin mendor, pasi socializimi na mban më të gjallë. Është kënaqësi që të moshuarit mund të mblidhen e të kalojnë kohë bashkë, pa u shqetësuar për shpenzime,” thotë Fehmiu, një nga frekuentuesit e rregullt të qendrave. /Kosova.info/

Go to TOP