Peci: TV “Dukagjini” dhe PDK ndërtuan narrativën kriminale të zgjedhjeve në Mitrovicë

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Mitrovicës, Faton Peci, ka bërë një denoncim të hapur për manipulimin e zgjedhjeve lokale më 12 tetor 2025 duke akuzuar PDK-në dhe disa media për orkestrimin e një skeme kriminale me qëllim dekurajimin e votuesve dhe ndikimin në rezultatin zgjedhor.

Sipas Pecit, një vit përpara zgjedhjeve dhe një muaj gjatë fushatës, ai ka qenë objekt i linçimit, njollosjes dhe sulmeve të orkestruara mediatike, ku portreti i tij është përdorur për të krijuar ndasi dhe urrejtje ndërfetare dhe politike. Ai e cilëson këtë si një operacion të drejtuar nga Bedri Hamza, i cili sipas tij përdori figurën e vet si “politikani i urtë” për të fshehur qëllimet e vërteta: përçarjen e qytetarëve për një grusht vota.

Peci ka akuzuar TV Dukagjinin dhe partnerët e saj duke përfshirë Baton Haxhiun, si qendra operative të propagandës. Exit pollet e këtij televizioni, sipas tij, nuk ishin të destinuara për të matur vullnetin qytetar, por për të ndërtuar një narrativë të rreme duke dekurajuar votuesit dhe vëzhguesit e zgjedhjeve.

“Dëshmitarë të dorës së parë tregojnë se kur votuesit deklaronin se kishin votuar për mua, anketuesit u përgjigjeshin se kishte problem me sistemin, dhe vota e tyre shpërfillej sipas urdhrave të kriminelëve që kishin paguar për të krijuar gënjeshtrën e madhe,” tha Peci.

Ai ka theksuar se pronari i UBO kishte përpjekur të bindte stafin e tij në mesditën e 12 tetorit se gjithçka kishte marrë fund duke e prezantuar si një disfatë të paracaktuar. Analistë dhe portale të paguara sipas tij publikuan postime që paraqisnin garën e mbyllur me rezultat të thellë duke krijuar presion psikologjik dhe dezorientim për votuesit dhe komisionarët.

Peci shprehet se qytetarët dhe ekipi i tij zgjedhor janë kontaktuar me thirrje anonime dhe mesazhe dezinformuese gjatë tërë ditës së zgjedhjeve, me qëllim të vetëm të krijimit të terrenit për manipulimin e exit polleve.

Megjithatë, ai ka deklaruar se Mitrovica nuk u thye duke treguar rezistencën e qytetarëve ndaj këtyre përpjekjeve për manipulim. /Kosova.info/


Go to TOP