Peci shpall kandidaturën për kryetar të Mitrovicës: Mbështetje unanime nga Kurti dhe Vetëvendosje

Ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci, ka zyrtarizuar kandidaturën për kryetar të Komunës së Mitrovicës duke marrë mbështetjen unanime të Lëvizjes Vetëvendosje, koalicionit VV–Guxo dhe vetë Kryeministrit Albin Kurti.

Peci, i cili në zgjedhjet e fundit doli i treti më i votuar në listën e VV-së dhe i pesti në nivel nacional, tha se besimi i qytetarëve i ka shtuar ndjeshëm përgjegjësinë politike duke e shtyrë të marrë këtë hap të ri.

“Mitrovica është zemra e Kosovës. Konteksti gjeopolitik kërkon guxim, vendosmëri dhe urtësi për të mbrojtur themelet e këtij qyteti. Për mua është nder i madh dhe amanet i shenjtë të përfaqësoj Mitrovicën,” u shpreh ai në një deklaratë publike.

Ai premtoi një trajtim të ri për Mitrovicën përmes projekteve konkrete zhvillimore dhe zhvendosjes së disa institucioneve shtetërore në këtë qytet, me synimin për t’ia rikthyer rolin dhe rëndësinë që, sipas tij, i takon.

“Me mbështetjen tuaj, më 12 tetor do të fillojmë ciklin e punëve të mira që na presin së bashku,” përfundoi Peci duke ftuar qytetarët në një bashkëpunim të ngushtë drejt zhvillimit të qytetit.

Kandidatura e tij pritet të jetë një ndër më të fortat në garën për të udhëhequr Mitrovicën, veçanërisht në një kohë kur qeveria synon rritjen e vëmendjes institucionale dhe politike për komunat veriore. /Kosova.info/


Go to TOP