Peci, Ramës: Po e bllokon ndërtimin e objektit të Ministrisë së Bujqësisë

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka akuzuar kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama se po e bllokon ndërtimin e objektit të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.

Përmes një postimi në Facebok, ministri Peci është shprehur se Rama ka bllokuar çdo procedurë që ka të bëjë me ndërtimin e objektit të MBPZHR-së. Ndërsa i ka quajtur banale arsyet e zyrtarëve komunal.

“Mirëmëngjes Përparim Ramës i cili përmes administratës së tij bllokon ndërtimin e objektit të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural! Qytetarët e Prishtinës por edhe qytetarët e Kosovës duhet ta dinë që Përparim Rama ka bllokuar çdo procedurë për ndërtimin e Objektit të MBPZHR-së! Sot është dita e 73-të nga dita e paraqitjes së kërkesës dhe dita e 42-të e kalimit të afatit kohor që Përparim Rama ka mohuar pajisjen e MBPZHR-së me kushtet e ndërtimit të objektit!”, ka shkruar Peci.

Peci ndër të tjera ka rikujtuar se Përparim Rama dhe Ekzekutivi i Komunës së Prishtinës ka zvarritur në vazhdimësi përgjegjësitë ligjore të cilat iu takojnë karshi kërkesave të MBPZhR-së, siç janë përgjegjësitë ndaj aksioneve të inspektorëve.

“Qartësojmë për qytetarët e Kosovës, se bllokimi i ndërtimit të Objektit të MBPZhR-së, ndër të tjerat mohon përfitimin e 160 milionë eurove për bujqësinë vetëm në vitin e parë nga akreditimi në IPARD, si dhe liron buxhetin e shtetit nga barra e qirasë së lartë. Njëherit ky objekt do të akomodojë zyrtarët e institucionit tonë dhe agjencive përkatëse ekzekutive. Përparim, hap krahun përparimit të Kosovës”, ka shkruar Peci. /Kosova.info/

Go to TOP