PDK kërkon debat parlamentar për raportin e DASh-it, Kusari-Lila s’pajtohet, propozon seancë të veçantë

Pas kërkesës së PDK-së për debat parlamentar në lidhje me raportin e DASh-it, shefja e grupit parlamentar e Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, ka propozuar që të mbahet një seancë e re ditëve të tjera.

Ajo tha se pos raportit të DASh-it, në seancën e re, të diskutohet edhe për raportin e Freedom House.

“Përveç faktit të rëndësisë dhe bashkëpunimit me Amerikën, gjithashtu edhe me kredibilitetin e raportit, qoftë për vitin 2023, 2024, 2022, të gjeturat kanë qenë gjithmonë të rëndësishme. Duke e ditur rëndësine dhe peshën, do ia vëja në spikamë opinionit, që raporti flet në detaje për lëshimet në sistemin e drejtësisë për vitet e mëhershme në raport me dhunën ndaj grave. Përmend shkeljen e të drejtave të punëtorëve në sektorin privat në numër të madh. Përmend raste të ish-ministrave në proces të gjykimit. Ka lëshime të vogla në raporte statistikore, në veçanti për prezencën e numrit të grave në qeveri. Ky kuvend, kjo mazhorancë ka grupin më të madh të grave ndonjëherë”, tha ajo.

“Duke ditur kompleksitetin, rëndësinë dhe peshën e këtij raporti, propozojmë të caktohet një seancë e veçantë, jo vetëm për këtë raport, por edhe për raportin e Freedom House. Të gjithë së bashku të reflektojmë a kemi progres apo regres. Të caktojmë ditën kur do të mblidhemi javën e ardhshme që të diskutojmë, sot nuk është kjo urgjencë”, u shpreh më tej ajo.

Go to TOP