PDK e LDK: Asociacioni përgjegjësi dhe kompetencë e Qeverisë

Dy partitë opozitare Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, nuk kanë dhënë qëndrim sa i përket formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Ablerad Tahiri të hënën ka thënë se opozita nuk është vendimmarrëse dhe është Qeveria ajo që duhet t’i jap drejtim kësaj çështje.

“Përgjegjësitë Kushtetuese janë të ndara, ne jemi parti opozitare nuk jemi vendimmarrës në këtë vend. Këtyre çështjeve duhet tu jap drejtim Qeveria e Kosovës. Duhet të kemi qëndrime të qarta të Qeverisë karshi kërkesave dhe obligimeve të Qeverisë për kërkesat që vijnë qoftë nga SHBA apo BE”, ka thënë Tahiri të hënën pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.

Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se Asociacioni është kompetencë e institucioneve të Kosovës në radhë të parë Qeverisë.

“Në lidhje me Asociacionin, LDK-ja vlerëson se kjo çështje është kompetencë dhe përgjegjësi kushtetuese vetëm e institucioneve të Republikës së Kosovës, në radhë të parë e Qeverisë”, thuhet në komunikatë.

Këto deklarime vijnë para takimit që ka ftuar ambasada amerikane në Prishtinë për të diskutuar për formimin e Asociacionit i cili do të mbahet të martën.

BE e ShBA ka shtuar thirrje ndaj Kosovës dhe Serbisë për arritjen e një marrëveshje për normalizim të marrëdhënieve por edhe formimin e Asociacionit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përsëritur se qëndrimin kundër formimit të një Asociacioni siç ka thënë ai njëetnik, duke thënë se kjo është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës

Go to TOP