PDAK shpall mbështetjen për Agim Aliun në garën për Kryetar të Ferizajt
Partia Demokratike e Ashkalive të Kosovës (PDAK) ka zyrtarizuar sot vendimin për të mbështetur kandidaturën e Agim Aliut për një mandat të ri si Kryetar i Komunës së Ferizajt.
Në një deklaratë publike, PDAK bëri të ditur se ky vendim erdhi pas konsultimeve me strukturat partiake dhe qytetarët ashkali duke theksuar se mbështetja për Aliun nuk është thjesht një akt politik, por një zgjedhje e menduar mirë, që buron nga bindja se ai është udhëheqësi i duhur për të çuar përpara Ferizajn.
“Z. Aliu ka dëshmuar se di të punojë për qytetin, di të dëgjojë hallet e njerëzve dhe di të marrë vendime që e çojnë Ferizajn përpara”, thuhet në komunikatën e PDAK-ut.
Partia nënvizoi se Ferizaj është një shtëpi e madhe për të gjithë qytetarët, pavarësisht përkatësisë etnike apo gjendjes shoqërore, dhe se nën udhëheqjen e Agim Aliut fryma e bashkimit, respektit dhe zhvillimit do të forcohet më tej.
PDAK e cilësoi këtë bashkëpunim si një shembull se forcat politike mund të bashkohen kur bëhet fjalë për të mirën e qytetarëve duke e konsideruar jo vetëm një marrëveshje politike, por edhe një zotim të sinqertë për të ardhmen e komunitetit ashkali dhe gjithë Ferizajt.
Në fund, partia u bëri thirrje të gjithë qytetarëve të Ferizajt që të mbështesin Agim Aliun në këtë garë duke e parë këtë si një hap për të ndërtuar një Ferizaj më të zhvilluar, më të bashkuar dhe më të barabartë për të gjithë. /Kosova.info/
