Pas Daçiqit edhe Drecun hedh akuza drejt Britanisë së Madhe: Po kontribuon për Kosovën më së shumti në planin ushtarak

Ish-analisti ushtarak serb dhe shërbëtori besnik i kriminelit Sllobodan Millosheviq, aktualisht në shërbim të Vuçiqit, Millovan Drecun, ka deklaruar për televizionin në shërbim të regjimit serb “TV Pink” se Britania e Madhe mund të kontribuojë më së shumti për Kosovën në fushën ushtarake.

Duke folur për konfiskimin e një sasie të madhe armësh në kufirin në Merdarë, Drecun ka pretenduar se “ka kanale të zakonshme të kontrabandës së armëve”, të cilat kryhen “nga anëtarë të grupeve shqiptare, të cilat janë të lidhura me ato serbe”.

“Është interesante se kjo ka ndodhur dy ditë pas vizitës së ministrit britanik të Punëve të Jashtme, i cili shoqërohej nga Stuart Peach, ekspert i aktiviteteve të inteligjencës”, ka thënë eksperti serb për propagandë, Drecun.

Ai ka theksuar se synimi i Britanisë së Madhe është të përfundojë punën, por ai beson se kapacitetet e tyre “janë shteruar”.

“Britania mund të kontribuojë më së shumti për Kosovën në frontin ushtarak. SHBA dhe Turqia janë të angazhuar për armatosjen e “të ashtuquajturave Forca të Sigurisë së Kosovës”, ndërsa Britania është angazhuar për stërvitje”, ka pretenduar Drecun.

Sipas fjalëve të tij, ata duan të përshpejtojnë formimin e Ushtrisë së Kosovës “për të kontrolluar veriun”.

Go to TOP