Pas anulimit të votave me postë, kandidati i PDK-së në Dragash ka 17 vota më shumë se ai i LDK-së

Pas anulimit të votave me postë Partia Demokratike e Kosovës prin me 17 vota nga raundi i balotazhit për kryetar të Komunës së Dragashit.

Kandidati i PDK-së për kryetar, Shaban Shabani, ka thënë se ka mirëpritur vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa për t’i anuluar të gjitha votat e ardhur me postë.

“Jemi për 17 vota përpara. Mbetemi fitues dhe PDK do të qeverisë me Dragashin edhe për një mandat. Jemi angazhuar shumë për këtë fitore”, është shprehur Shabani .

“Vendimi ka qenë i pritshëm, i bazuar në argumentet që kemi dorëzuar me paraqitjen e ankesës. Kemi pritur që të miratohet pozitivisht ankesa”.

“Votat me kusht dhe personave me aftësi janë numëruar dje ku kemi pasë 91 dhe LDK ia ka pasë 121. Në rezultatin e përgjithshëm e votave valide PDK i bie t’i ketë 17 vota më tepër”, tha ai.

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka marrvendim për anulimin e votave me postë në garën e balotazhit për kryetar të Komunës së Dragashit.

PZAP ka aprovuar ankesën e kandidatit të PDK-së, për kryetar të Dragashit, Shaban Shabani, dhe ka anuluar të gjitha fletëvotimet e dorëzuara përmes postës për rundin e dytë të zgjedhjeve lokale për kryetar të kësaj komune.

Shefi i Shtabit të Lidhjes Demokratike të Kosovës në Dragash, Qamil Kolloni, e ka kritikuar Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa pas anulimit të gjitha votave me postë për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale në këtë qytet.

Ai ka theksuar se këtë rast ata do ta adresojnë në Gjykatën Themelore të Prizrenit.

Go to TOP