Parlamenti i Gjeorgjisë aprovon ligjin për agjentët e huaj

Parlamenti gjeorgjian e ka aprovuar ligjin për “agjentët e huaj”, i cili ka nxitur javë të tëra protestash masive të opozitarëve dhe qytetarëve të cilët i kundërvihen ligjit për të cilin besojnë se do të keqpërdoret nga autoritetet.

Ky ligj, i cili nga opozitarët quhet “Ligji rus” do t’i detyrojë të gjitha OJQ-të të cilat pranojnë më shumë se 20% të fondeve nga jashtë, që të regjistrohen si organizata të cilat “I përcjellin interesat e fuqive të huaja” dhe do t’i detyrojë ato t’i ndajnë të gjitha informatat, përfshirë edhe ato të ndjeshme, me Ministrinë e Brendshme të Gjeorgjisë.

Opozitarët thonë se ky ligj do të përdoret për të ndaluar apo kufizuar punën e OJQ-ve dhe organizatave pro-perëndimore duke i dhënë kontroll të plotë qeverisë pro-ruse. Sipas tyre, ky ligj do të mund të përdoret edhe për t’ua mbyllur gojën kundërshtarëve politikë duke i dëmtuar rëndë gjasat e Gjeorgjisë që të hyjë në BE.

Megjithatë, një pjesë e protestuesve ende nuk i kanë humbur shpresat që presidenti i vendit do ta përdorë fuqinë e vetos për të ndaluar implementimin e ligjit.

Por, sipas ligjit gjeorgjian, edhe vetoja e presidentit mund të tejkalohet nga ana e parlamentit i cili, në rast të vetos presidenciale, mund të mbajë edhe një votim ku, varësisht nga rezultati, parlamenti mund të vendosë aprovimin final.

Go to TOP