Të paktën 12 të vdekur, përfshirë të huaj, nga zjarret në Spanjë

Të paktën 12 njerëz të kombësive të ndryshme kanë humbur jetën si pasojë e zjarreve në Spanjë të premten. Ata vdiqën pasi kishin ngelur të ngujuar në automjete ose duke tentuar të largoheshin, njoftuan autoritetet.

Numri i të vdekurve nga zjarret – ndër më vdekjeprurësit në historinë e Spanjës – mund të rritet më tej, pasi autoritetet thanë se 23 njerëz janë zhdukur gjithashtu.

Zjarret, që nisën të enjten në një zonë me lugina të thella, shkatërruan pyje dhe sipërfaqe të mëdha me shkurre në zonën juglindore të Los Gallardos, në Andaluzi, ku jetojnë shumë banorë të huaj.

Ministri i Brendshëm, Fernando Grande-Marlaska, konfirmoi se mes të vdekurve ka persona të “kombësive të ndryshme”, pa përmendur shtetet nga vinin.

Duke folur para gazetarëve në fshatin Bedar, që ndodhet në qendër të zonës së goditur, Marlaska bëri thirrje për kujdes lidhur me shifrën prej 23 personash të zhdukur, duke theksuar se disa raste mund të lidhen me persona që nuk kanë mundur të kontaktojnë të afërmit e tyre, të cilët në fakt janë të sigurt.

Kreu i qeverisë rajonale të Andaluzisë, Juan Manuel Moreno Bonilla, tha se do të nevojiten analiza të ADN-së për të identifikuar 12 viktimat, pasi trupat e tyre janë “djegur rëndë dhe janë të panjohshëm”.

Flakët përfshijnë një kodër gjatë një zjarri pyjor pranë Bedarit, në distriktin e Bedarit, në provincën Almeria, në jug të Spanjës, më 10 korrik 2026.
Flakët përfshijnë një kodër gjatë një zjarri pyjor pranë Bedarit, në distriktin e Bedarit, në provincën Almeria, në jug të Spanjës, më 10 korrik 2026.

Spanja ka përjetuar javët e fundit temperatura ekstreme që kanë kaluar 40 gradë Celsius, duke krijuar kushte ideale për përhapjen e shpejtë të zjarreve pyjore.

Shkencëtarët pajtohen se ndryshimet klimatike të shkaktuara nga dora e njeriut po i bëjnë fenomenet ekstreme të motit, si valët e të nxehtit, më të shpeshta dhe më intensive.

E nxitur nga erëra me shpejtësi rreth 50 kilometra në orë, vatra e zjarrit u përhap “me një ritëm të jashtëzakonshëm”, duke përshkuar 15 kilometra në vetëm dy orë, tha Moreno.

Autoritetet njoftuan se banorëve të fshatit Bedar, me shtëpitë e tij karakteristike të bardha, u ishte kërkuar ose ta përdornin rrugën e rekomanduar për evakuim, ose të qëndronin në shtëpitë e tyre, pasi zjarri ishte shumë pranë.

Mosrespektimi i këtyre rekomandimeve nga disa banorë “mund të ketë çuar në humbjen tragjike të jetëve në disa raste”, tha Moreno.

I ndodhur rreth 15 kilometra larg bregdetit mesdhetar të Spanjës, Bedar është një destinacion i preferuar për njerëzit që kërkojnë një alternativë më të qetë krahasuar me resortet e afërta bregdetare.

Vitin e kaluar, Spanja regjistroi vitin e tretë më të nxehtë në histori. Më herët gjatë muajit, qindra zjarrfikës u angazhuan në shuarjen e zjarreve afër brigjeve të Kosta Brava.

Edhe vitin e kaluar, Spanja u përball me zjarre, kur pothuajse 400.000 hektarë tokë u dogjën.

Ditëve të fundit, edhe Franca po përballet me zjarre. Një vatër zjarri në rajonin Drome, në juglindje të vendit, për dhjetë ditë ka shkrumbuar 3.700 hektarë tokë.


Go to TOP