Paraqitje e mirë e përfaqësueses së Kosovës në kampionatin ballkanik të pingpongut për senior
Nga 4 deri më 8 shtator, Sarajeva ka qenë nikoqire e Kampionatit Ballkanik të Pingpongut për seniorë, ku Kosova ka marrë pjesë me ekipet e të dyja gjinive.
Në kategorinë e meshkujve, Kosova është përfaqësuar nga Fatih Karabaxhaku, Kreshnik Mahmuti dhe Blendi Hajdari, nën udhëheqjen e trajnerit Dardan Imami. Në fazën e parë, Kosova ishte në grupin C së bashku me Rumaninë dhe Bullgarinë, ku pësuan humbje. Në fazën e dytë për plasman, Kosova ishte në grup me Italinë dhe Shqipërinë, duke i mundur të dyja me rezultat 3:0 dhe kështu zuri vendin e 7 nga 9 shtete pjesëmarrëse.
Në kategori të femrave, Kosova u paraqit me Shega Hashanin, Lenë Osmani dhe Alma Mehmetin, të udhëhequra nga trajneri Ridvan Hashani. Në fazën e parë, Kosova ishte në grupin B me Bullgarinë, Greqinë dhe Shqipërinë, duke fituar ndaj Shqipërisë, por duke humbur ndaj Greqisë dhe Bullgarisë. Në 8-shen e finales, Kosova humbi ndaj Turqisë dhe në garat për vendin e 5-8, përjetoi një humbje nga Bosnja dhe Hercegovina dhe një fitore ndaj Shqipërisë, duke përfunduar në vendin e 7 nga 8 shtete pjesëmarrëse.
Në garat individuale, të gjithë sportistët dhanë maksimumin e tyre, por vetëm Lenë Osmani kaloi fazën e grupit dhe fitoi ndaj sportistes nga Bosnja dhe Hercegovina në të 32-shen e finales, për të humbur më pas në të 16-shen e finales nga sportistja rumune, e cila u shpall kampione e këtij Kampionati.
Në garat e çifteve, sportistët kosovarë paraqitën performanca të mira. Megjithatë përveç çiftit të meshkujve, Fatih Karabaxhaku dhe Kreshnik Mahmuti, të cilët fituan ndaj çiftit nga Bullgaria dhe u kualifikuan në të 8-shen e finales, çiftet e tjera humbën në xhiron e parë.
Në ndeshjen për plasman në gjysmëfinale, ata dhanë maksimumin ndaj çiftit nga Greqia, por nuk arritën të kalonin përpara.
Kosova ka bërë një paraqitje të mirë dhe ka treguar potencial të lartë në këtë Kampionat Ballkanik të Pingpongut. /Kosova.info/