Nehat Çitaku zgjidhet Nënkryetar i Unionit Ballkanik të Pingpongut për katër vitet e ardhshme
Kryetari i Federatës së Pingpongut të Kosovës, Nehat Çitaku, është emëruar Nënkryetar i Unionit Ballkanik të Pingpongut për një mandat katërvjeçar. Nga gjithsejtë 10 vota, ai ka marrë 9 nga to. Kjo është një arritje e madhe për sportin kosovar duke forcuar prezencën e Kosovës në arenën ndërkombëtare të pingpongut.
Federata e Pingpongut e Kosovës është federata e parë kosovare që është pranuar në simotrën e saj, duke shënuar një moment historik për sportin në vend. Përmes këtij pozicioni të ri, Çitaku do të ketë një rol kyç në promovimin dhe zhvillimin e pingpongut në rajonin e Ballkanit, duke përfaqësuar interesat e Kosovës në nivel ndërkombëtar.
Emërimi i Çitakut vjen si rezultat i përpjekjeve të vazhdueshme të Federatës së Pingpongut të Kosovës për të përmirësuar cilësinë e sportit në vend dhe për të krijuar mundësi të reja për sportistët kosovarë në skenën ndërkombëtare. Ky sukses shënon një tjetër hap të rëndësishëm drejt integrimit të plotë të sportit të Kosovës në organizatat sportive rajonale dhe globale. /Kosova.info/