Parandalohet futja e narkotikëve në Dubravë
Në Qendrën Korrektuese të Dubravës është parandaluar një tentim për futjen e substancave të dyshuara narkotike brenda institucionit, gjatë kontrollit rutinor të vizitorëve në Pavionin D.
Sipas njoftimit të Shërbimit Korrektues të Kosovës, gjatë kontrollit të realizuar nga stafi korrektues janë zbuluar dy qese të bardha transparente me substancë të dyshuar narkotike, të fshehura në pampersin e një fëmije të mitur.
Pas zbulimit të rastit, vizita është anuluar menjëherë, ndërsa për rastin është njoftuar Policia e Kosovës, përkatësisht njësia përkatëse hetimore në Pejë, e cila ka nisur procedurat e mëtejshme hetimore.
Autoritetet korrektuese kanë bërë të ditur se ndaj të burgosurit që dyshohet se ndërlidhet me rastin janë ndërmarrë masa disiplinore, ndërsa i njëjti është transferuar në tretman themelor deri në përfundimin e hetimeve.
Shërbimi Korrektues i Kosovës ka ritheksuar përkushtimin për parandalimin e dukurive të kundërligjshme dhe ruajtjen e rendit, sigurisë dhe integritetit institucional në të gjitha institucionet korrektuese të vendit. /Kosova.info/
