Papa Leoni XIV feston sot 70-vjetorin, ditëlindja e parë në krye të Selisë së Shenjtë

Papa Leoni XIV feston sot 70-vjetorin e lindjes, një moment simbolik jo vetëm për moshën, por edhe për profilin e tij papnor, që po shquhet për energji të pazakontë, angazhim diplomatik dhe një zë të fuqishëm për paqen globale.

Që prej Papa Gjon Palit II në vitin 1990, nuk ka pasur një papë që të arrinte këtë moshë në nisje të pontifikatit. Megjithatë, Papa Leoni XIV nuk ka shfaqur asnjë shenjë ngadalësimi. Me një ritëm të pandalur dhe një axhendë të dendur, ai ka krijuar një prani të fuqishme në skenën ndërkombëtare dhe në jetën e brendshme të Kishës.

Që në ditën e parë të papatit, më 8 maj, ai e ka bërë të qartë drejtimin që do të marrë: një thirrje e vazhdueshme për paqe të çarmatosur, në një botë të përçarë. Në vetëm katër muaj, ka bërë dhjetëra apele publike kundër luftës — nga Ukraina e deri në Gaza dhe Afrikë — duke ofruar Vatikanin si një terren neutral për dialog.

“Duhet të shohim njëri-tjetrin në sy,” është një nga thirrjet më të komentuara të tij. Ndërkohë, diplomacia vatikanase, larg syve të publikut, është aktive përmes bisedave të rregullta me liderë botërorë.


Go to TOP