Paga minimale 500 euro: Kush fiton, kush humb?
Paga minimale në Kosovë është rritur në 500 euro bruto në muaj, duke prekur, sipas zyrtarëve, rreth 150.000 punëtorë të sektorit privat. Derisa Qeveria e ka paraqitur vendimin si mbështetje për punëtorët, ekspertët vënë në pikëpyetje ndikimin e tij në mirëqenien e qytetarëve dhe ekonominë. Çfarë, realisht, pritet të sjellë kjo rritje?
Mijëra punëtorë në Kosovë pritet të përfitojnë nga rritja e pagës minimale në 500 euro bruto në muaj, e cila hyri në fuqi më 1 korrik.
Por, mbetet e paqartë nëse kjo rritje do të përkthehet në një përmirësim të mirëfilltë të standardit të jetesës së tyre, përballë inflacionit dhe rritjes së vazhdueshme të çmimeve.
Deri më tani, nuk është publikuar ndonjë analizë e hollësishme zyrtare mbi ndikimin e kësaj rritjeje apo në fuqinë blerëse të familjeve.
Ekspertë, me të cilët bisedoi Radio Evropa e Lirë, vlerësojnë se paga e re minimale nuk mjafton për të mbuluar shpenzimet mujore të një familjeje në Kosovë.
Qeveria e Albin Kurtit, tani kryeministër në detyrë, e mori këtë vendim në tetorin e 2025-tës, në prag të zgjedhjeve lokale, ndërsa ai hyri në fuqi në dy faza, në janar dhe në korrik 2026.
Vendimi prek rreth 150.000 punëtorë të sektorit privat, sipas zyrtarëve.
Mungesa e një studimi paraprak
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, kishte thënë pas vendimit për rritjen e pagës minimale se ai erdhi pas “analizave dhe diskutimeve që kemi pasur, si dhe propozimeve dhe sugjerimeve që kemi marrë nga përfaqësues të sindikatave dhe bizneseve”.
Por, pretendimet e Muratit hidhen poshtë nga kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Lulzim Rafuna, i cili akuzon Qeverinë për mospërfshirjen e Odës dhe të bizneseve në analizimin e ndikimit të pagës së re minimale.
“Nuk jemi konsultuar. Nuk e kemi parë asnjë raport, asnjë studim. Kjo është pikërisht kërkesa jonë”, thotë Rafuna për Radion Evropa e Lirë.
Ekonomisti Safet Gërxhaliu vlerëson se Qeveria e “politizoi” pagën minimale, duke anashkaluar aktorët e tjerë nga diskutimet rreth ndikimit para marrjes së vendimit.
“Asnjë pagë, qoftë minimale, qoftë mesatare, nuk duhet të politizohet, sepse kjo vetëm e dëmton aspektin ekonomik dhe social. Dhe, në këtë drejtim, definitivisht, paga minimale duhet të jetë e diskutuar dhe e kalkuluar në trendët e rritjes së inflacionit”, shpjegon ai për Radion Evropa e Lirë.

A mjafton kjo rritje?
Paga minimale, tani 500 euro, u rrit fillimisht në 425 euro në janar, nga 350 sa ishte paraprakisht.
Me një inflacion të rritur në rreth 6.8 për qind, dhe një ekonomi të ngadalësuar, sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, paga e re minimale në Kosovë nuk do të ndihmojë në përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve, thonë ekspertët.
“Në rrethana reale, në një ekonomi të qëndrueshme, është dashur të fitojë qytetari, por duke pasur parasysh faktin që jemi një shtet i varur nga importi dhe afër 90% e të hyrave familjare shkojnë në konsum, atëherë shumë më tepër do të fitojnë tregtia dhe importi, sesa qytetarët dhe shteti”, vlerëson Gërxhaliu.
Një hulumtim, i publikuar më 2024 nga Instituti për Politika Sociale “Musine Kokalari”, në Prishtinë, ka gjetur se një familje 4-anëtarëshe në Kosovë shpenzon mesatarisht mbi 1.100 euro në muaj për ushqim, strehim, arsim, shëndetësi dhe transport.
Në zonat urbane, shpenzimet arrijnë mbi 1.200 euro, ndërsa në ato rurale rreth 1.090 euro.
Rafuna thotë se paga minimale prej 500 eurosh “nuk i mbulon” nevojat e kostot reale jetësore të familjes në Kosovë.
Ai shton se Qeveria ka mundur të vinte me një vendim më të mirë për pagën minimale, sikur t’i jepte mundësi OEK-ut për të sjellë propozime pas bisedimeve me përfaqësuesit e tij, me anëtarët e Odës, por edhe me joanëtarët e saj.

Ndikimi tek bizneset dhe informaliteti
Ekspertët e ekonomisë parashikojnë ndikim negativ tek bizneset, që, sipas Gërxhalut, “nuk kanë qenë të përgatitura që do të ndodhë diçka e tillë”, pasi nuk janë konsultuar nga Qeveria.
“E tërë kjo do të ndikojë në radhë të parë në tkurrje apo në zvogëlim të vendeve të punës, në rendin e kërkesës për punëtorë dhe, kuptohet, si efekt i tretë do të jetë edhe tentativa për informalitet”, vlerëson ai.
Rafuna, në anën tjetër, pajtohet se bizneset mund të preken, por nuk mendon se do të ketë rritje të informalitetit.
“Sipas të dhënave tona, nuk do të ketë informalitet, për shkak se […] sektori privat ka lëvizur goxha mirë me paga si rezultat edhe i kohës, por edhe si rezultat i kërkesës për të pasur fuqi punëtore të mirë dhe kualitative brenda ndërmarrjes”, tregon ai.
Ai shpjegon ndikimin tek bizneset e mesme dhe ato të reja, apo start-up.
“Te bizneset e mesme, sfiduese është ngarkesa, se edhe është rritur pragu i pagës minimale, por edhe nuk është liruar nga tatimi i të ardhurave personale”, thotë ai.
Për shembull, fqinja e Kosovës, Shqipëria, në janar e rriti pagën minimale në 50.000 lekë, apo 500 euro, dhe vendosi se ajo nuk do të tatohet.
Ministria në detyrë e Financave në Kosovë nuk iu përgjigj pyetjes së Radios Evropa e Lirë nëse do të tatohet apo jo paga minimale.
Rafuna thotë se situata e re do të jetë “shumë sfiduese” edhe për bizneset e vogla, për shkak se “ato janë në hapat e parë, në ditët e para, dhe paga minimale prej 500 eurove padyshim që do t’i shtyjë ose ta kufizojnë numrin e stafit, ose të riorganizohen”.
