Osmani:1584 qytetarë ende mungojnë, drejtësia e paplotë pa zbardhjen e fatit të tyre
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka kujtuar sot plagën e hapur të vendit në Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur me Dhunë. Ajo ka theksuar se ende 1584 qytetarë të Kosovës figurojnë të zhdukur duke nënvizuar se pas çdo numri qëndron një jetë e ndërprerë dhe një familje që për më shumë se dy dekada pret drejtësi.
Osmani u shpreh se varrezat masive të gjetura në Serbi janë dëshmi e gjallë e krimeve të luftës dhe e krimeve të përsëritura nga regjimi gjenocidal serb, por edhe një kujtesë e përditshme se drejtësia ende nuk është vendosur.
“Për sa kohë mijëra qytetarë tanë mbesin të zhdukur, paqja mbetet e paplotë”, tha presidentja.
Duke akuzuar regjimin e Aleksandar Vuçiqit se vazhdon të “fle mbi varreza masive” dhe të mbajë peng zbardhjen e fatit të të zhdukurve, Osmani apeloi te partnerët ndërkombëtarë që të shtojnë presionin mbi Serbinë.
Sipas saj, vetëm e vërteta dhe drejtësia mund t’u japin familjeve qetësinë dhe dinjitetin që meritojnë. /Kosova.info/
