A u mbyll vërtet konstituivi i kuvendit?

Shkruan: Kadri KRYEZIU

Kush do ta imagjinonte që partitë e mëdha shqiptare do të bëheshin copa mes vete rreth procedurave të zgjedhjes së nënkryetarit serb të Kuvendit? Unë jo se jo, por ja që e pamë dhe e jetuam edhe këtë ditë.

Në përmbledhje të shkurtër, mendimi im për zhvillimet sot është ky: Kryetari i Kuvendit Dimal Basha ka vepruar drejt, por edhe jo drejt. Domethënë ka vepruar mirë, por edhe jo mirë. Gjithsesi, në asnjë variant nuk ka vepruar keq.

Tash merrni pak frymë dhe dëgjojeni me kujdes Profën.

Në prizëm politik, meqenëse u bëmë horë dhe gazi i botës duke u bërë copa rreth procedurave të zgjedhjes së nënkryetarit serb të Kuvendit, Kryetari i Kuvendit Dimal Basha ka vepruar drejt duke e shpallur të mbyllur konstituivin e Kuvendit. Kjo maskaradë e turpshme duhet të marr fund, në një formë ose në një tjetër.

Në prizëm juridik, kam frikë që nuk mjafton që vetëm të thuash “e shpall të mbyllur konstituivin e Kuvendit”. Kryetari i Kuvendit vërtet është numri dy në shtet, por kushtetuta nuk e vesh atë me fuqi magjike që gjërat të bëhen vetëm me një abrakadabra.

Pika 5 e nenit 12 të rregullores së punës së Kuvendit thotë që “seanca konstituive përfundon me zgjedhjen e Kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit”. Ky kusht juridik është afirmuar disa herë edhe nga Gjykata Kushtetuese. Në mënyrën si tani për tani lexohet kjo normë juridike, ka hapësirë të thuhet që seanca konstituive akoma nuk ka përfunduar.

A ka përmbysje të rendit kushtetues siç është ngutur të thotë puçisti Enver Hasani?

Jo, nuk ka. Përkundrazi, konsideroj që, për ne qytetarët e këtij vendi që jemi lodhur nga bllokada në Kuvend, sot ishte një ditë shumë e mirë.

Ajo çfarë ka ndodhur, e që na kthen te rrafshi i mendimit dhe veprimit politik, është që, me konstatimin e tij magjik se Kuvendi është konstituar, Kryetari Dimal Basha e ka krijuar një fakt të ri juridik.

Ajo çfarë ligësia e Enver Hasanit nuk e kupton është që Dimal Basha e ka krijuar hapësirën me anë të cilës deputetët, por edhe Presidentja e Republikës, mund t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese, sepse pa këtë fakt juridik, nuk ka hapësirë për ndërhyrjen e Gjykatës Kushtetuese. Dhe ky veprim është shërbimi më i madh që Dimal Basha sot ka mundur t’i bëjë Republikës.

Për fatkeqësinë e Enverit, të asistentëve të tij të pa guxim, dhe të juristëve të shoqërisë së ngutshme civile, Gjykata Kushtetuese nuk do të merret vetëm me çështjen nëse seanca konstituive është e mbyllur apo vijon edhe më tutje, por do të merret edhe me absurdin e situatës që mos zgjedhja e një nënkryetari të Kuvendit nga komunitetet jo shumicë ta bllokojë konstituivin e organit më të rëndësishëm të Republikës.

Le t’i rikthehemi edhe njëherë pikës 5 të nenit 12 të rregullores së punës së Kuvendit. Lexoni me kujdes, “seanca konstituive përfundon me zgjedhjen e Kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit”.

Brenda kësaj fjalie janë dy kuptime:

kuptimi që me fjalën “nënkryetarëve” nënkuptojmë vetëm numrin e nevojshëm të tyre në mënyrë që Kryesia, si organ kolegjial, të ketë kuorumin e nevojshëm për të funksionuar,

si dhe

kuptimi që me fjalën “nënkryetarëve” nënkuptojmë të gjithë nënkryetarët e Kuvendit.

Dhe përgjigjen se cili kuptim është kuptimi i drejtë mund ta japë vetëm Gjykata Kushtetuese.

Në trajtimin që do t’i bëjë çështjes, Gjykata Kushtetuese nuk mund të aplikojë një rregull tjetër nga ai që vlen për vetë Gjykatën. Gjykata Kushtetuese po ashtu është organ kolegjial i përbërë nga nëntë gjykatës, por Gjykata Kushtetuese është funksionale dhe mund të marr vendime edhe nëse i ka vetëm shtatë gjykatës, sepse ky është kuroumi i përcaktuar me ligj.

Pse ky rregull po vlejtka për Gjykatën Kushtetuese, por nuk po vlejtka për Kryesinë e Kuvendit, që po ashtu, njësoj si Gjykata Kushtetuese, është organ kolegjial?

Pra, nëse e ndjekim logjikën e shëndoshë, të cilën për vete e aplikon edhe Gjykata Kushtetuese, Kryesia e Kuvendit është bërë funksionale që në momentin kur janë zgjedhur tre nënkryetarët e parë, sepse, sipas pikës 2 të nenit 20 të rregullores së punës së Kuvendit, kuroumi për vendimmarrje është që në mbledhje të jenë të pranishëm më së paku katër anëtarë të Kryesisë së Kuvendit.

Është absurd të pretendohet që konstituivi i Kuvendit mund të bllokohet sepse nuk ekziston pajtueshmëria për të zgjedhur një ose dy nga nënkryetarët e Kuvendit. Nëse ekziston kuroumi për vendimmarrje, Kryesia e Kuvendit është funksionale, ndërkaq pozitat vakante mund të plotësohen më vonë.

Ka raste, si për shembull në Gjermani, ku vendi vakant nuk plotësohet fare. Për rikujtim, partitë tradicionale gjermane refuzojnë që ta votojnë kandidatin e AFDsë për nënkryetar të Bundestagut dhe pozita që me kushtetutë i takon AFDsë vazhdon të jetë vakant.

Edhe absurd edhe më i madh që, në një çështje kaq të rëndësishme siç është konstituimi i Kuvendit, partitë tradicionale shqiptare t’ia japin më dorën e vet të drejtën e VETO-së partive që vinë nga vendet e rezervuara në Kuvend e që nuk zgjidhen sipas rregullave normale të demokracisë.

Sinqerisht habitem dhe pyes nëse këta njerëz janë në terezi dhe a janë duke e ditur se çka janë duke bërë? A i kuptojnë pasojat e deklarimeve dhe veprimeve të veta? Thjesht, jam pa fjalë.

Si përfundim, edhe pse mbi vete e ka marr rrezikun që të etiketohet si shkelës i kushtetues, duke e krijuar brumin juridik për trajtim në Gjykatë, Dimal Basha sot të gjithë neve na ka bërë një favor të madh.

Pas konstatimit të tij magjik “e shpall të konstituar Kuvendin”, në aspektin juridik, topi tani është te Gjykata Kushtetuese, ndërkaq, në aspektin politik, janë votuesit ata që do të gjykojnë për të gjitha.

Këto gjëra që të gjitha do të mbahen mend.


Go to TOP