Osmani: Suksesi i artistëve të rinj, imazhi më i bukur i Kosovës
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, mbrëmë ka takuar komunitetin e artistëve të rinj.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Osmani ka thënë se është detyrim që ata të përkrahen maksimalisht, pasi sipas saj, suksesi i tyre është imazhi më i bukur i Kosovës.
“Aktivitetet e muajit të rinisë mbrëmë i vazhduam me artistët e rinj. Secili rrëfim i tyre është inkurajues dhe i dhuron gjithë vendit krenari. Prandaj, e kemi detyrim t’i përkrahim maksimalisht sepse suksesi i tyre është imazhi më i bukur i Kosovës”, shkroi ajo duke ndarë edhe disa fotografi nga aktiviteti.
