Osmani në 23-vjetorin e Masakrës së Dubravës: Lufta jonë për liri vuloset kur drejtësia të vihet në vend

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar 23-vjetorin e Masakrës së Dubravës, në të cilën regjimi gjenocidal vrau brenda burgut 160 të burgosur shqiptarë dhe plagosi 300 të tjerë.

Ajo ka thënë se pllaka me emrat e të vrarëve e vendosur në hapësirën e Burgut të Dubravës do të jetë dëshmi e përhershme e egërsisë së regjimit gjenocidal serb.

“Ai mbajti padrejtësisht në burg shqiptarët, e më pas i ekzekutoi barbarisht. Ky krim makabër mbetet ende i pandëshkuar. Ka dëshmitarë të mbijetuar, ndaj drejtësia duhet ta bëj punën e vetë duke sjellë autorët e krimit para përgjegjësisë”, thuhet në përkujtimin e presidentes Osmani.

Tutje, ajo ka theksuar se lufta e Kosovës për liri dhe shtet do të vuloset kur drejtësia të vihet në vend për të gjitha krimet që ka bërë regjimi serb.

Masakra në Burgun e Dubravës ka ndodhur nga 19 deri më 22 maj 1999. Në Dubravë të Istogut ka ekzistuar burgu famëkeq i Dubravës, ku forcat policore serbe, gardianë e paramilitarë serb prej 19-22 maj 1999 kanë vrarë e masakruar në këtë burg më shumë se 100 të burgosur nga viset e ndryshme të Kosovës.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, i cili i ka mbijetuar Masakrës në Burgun e Dubravës, në 23-vjetorin e kësaj ngjarje ka thënë se Prokuroria duhet të “zgjohet nga gjumi”.

Në një konferencë për media të mbajtur këtë të enjte, Dugolli ka deklaruar se Prokuroria duhet të dëgjojë rrëfimet e të mbijetuarve, ndërsa sipas tij, nuk do të ketë nevojë që të nxirret ndonjë vendim për dëshmitarë të mbrojtur. 

“Nuk po kërkojmë asgjë më shumë se drejtësi. Të gjithë ne do të dëshmojmë vetëm të vërtetën”, ka thënë ai.

Tutje, Dugolli ka thënë edhe pas 23 vitesh, të mbijetuarit e kësaj masakre i kujtojnë përgjegjësit dhe ekzekutorët.

“Këtu janë emrat e të vrarëve e të masakruarve shqiptarë në Burgun e Dubravës. Sot, edhe pas 23 vitesh neve të mbijetuarve na shfaqen para syve skenat e llahtarshme të vrasjeve së bashku me klithmat e vëllezërve tanë që shuheshin para plumbave e granatave të hedhura mbi trupat tanë. Ne ende i mbajmë mend përgjegjësit e ekzekutorët që i kishin vënë maskat në fytyrë për të mos u dalluar”, ka shtuar ai.

Go to TOP