Osmani: Me master plan zgjerimi do të përfshijë pesë lagje të kryeqytetit

Kryeshefi ekzekutiv i “Termokos”, Fisnik Osmani në një intervistë për RTK-në, ka prezantuar master planin për zgjerimin e rrjetit të ngrohjes në Prishtinë, duke theksuar rëndësinë e projektit të solarëve dhe impaktin që do të ketë zgjerimi në pesë lagje të qytetit.

Osmani bëri të ditur se projekti është pjesë e investimeve kapitale dhe se janë zhvilluar edhe diskutime publike me qytetarët për këtë çështje.

“Para pak ditësh, saktësisht javën që e lamë pas, ngrohtorja e qytetit në kuadër të zgjerimit të rrjetit, në kuadër të projekteve kapitale të cilat po i zhvillojmë, kemi mbajtur edhe diskutimin publik rreth zgjerimit të rrjetit në master planin, i cili do të përfshijë lagjet të cilat do të zgjerohemi në dy ose tri vitet e ardhshme, specifikisht si pasojë e investimit në projektin e solarëve”, ka theksuar Osmani.

Sipas tij, projekti solar tashmë është në fazë intensive dhe pritet të fillojë së shpejti implementimi i fazës së parë.

“Ne do të jemi gati që të fillojmë fazën e parë të implementimit të këtij projekti,” shtoi ai.

Sipas Osmanit, zgjerimi do të përfshijë pesë lagje të kryeqytetit, bazuar në një analizë profesionale të zhvilluar nga konsulenca austriake në bashkëpunim me ekspertët e “Termokos”-it.

“Projekti përfshin pesë lagje të Prishtinës të cilat do të zgjerohen në zona të caktuara. Fillimisht, si master plan, është bërë analiza në bazë të disa kritereve profesionale të cilat i ka bërë konsulenca austriake, natyrisht së bashku me ekspertët e Termokosit, dhe të përfshira në studim kanë qenë mbi 1700 objekte, prej të cilave një pjesë dërrmuese e tyre do të kenë mundësi të kyçen në rrjetin e ngrohtores së qytetit,” u shpreh Osmani.

Ai ka theksuar gjithashtu edhe ndikimin që ky zgjerim do të ketë në qytetarët e Prishtinës.

“Po flasim për një zgjerim masiv që do të përfshijë rreth 38 mijë qytetarë si impakt në qytetin e Prishtinës. Këto pesë lagje që ne do të zgjerohemi përfshijnë pjesën e Tophanës, Arbërisë, pjesën e lagjës së Muhaxherëve siç njihet dhe pjesën e Kalabrisë, dhe koncentrim jo i vogël do të jetë pjesa e Qytetit të Vjetër”, ka deklaruar ai.


Go to TOP