Osmani dekoron dëshmorin Francesco Bider me Urdhrin “Hero i Kosovës”

Në kuadër të aktiviteteve të manifestimit tradicional “Ditët e Shqipes’2024”, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka dekoruar dje me Urdhrin “Hero i Kosovës”, pjesëtarin e Brigadës 138 “Agim Ramadani”, Francesco Guiseppe Bider, me motivacion për trimërinë dhe sakrificën për lirinë e Kosovës.

Presidentja Osmani, Urdhrin ia dorëzoi, vëllait të heroit, Alfredo Bider, i shoqëruar nga familjarë dhe ish-udhëheqësit e Brigadës 138 “Agim Ramadani” dhe Betejës së Koshares.

Presidentja  Osmani theksoi se heroi Francesco Bider besoi në lirinë e popullit tonë dhe të ardhmen e fëmijëve tanë.

“Ishin pamjet e vrasjeve, djegieve, vuajtjeve të zhvendosurve, pamjet e kampeve të refugjatëve dhe gjithë realitetit të tmerrshëm që kalonte populli ynë nga regjimi gjenocidal të Millosheviqit që e shtynë Francescon t’i bashkohej UÇK-së në luftën për çlirimin e Kosovës, ku edhe ra dëshmor”, ka thënë Osmani.

Sipas presidentes, të gjithë pjesëtarët e UÇK-së i bashkoi kauza e lirisë dhe e drejtësisë kundër tiranisë, gjenocidit dhe shtypjes.

Kujtojmë se heroi i kombit, Francesco (Giuseppe) Bider lindi më 10 janar 1961 në Biella të Italisë. Ai iu  bashkua UÇK- së në Koshare, si pjesë e Brigadës 138 “Agim Ramadani”, ku edhe ra dëshmor më 7 maj 1999, pas plagëve të marra gjatë luftimeve. Ai u varros në qytetin e Kukësit, ndërsa tani trupi i tij prehet së bashku me 114 dëshmorët e tjerë në Kompleksin Memorial të Kosharës. /Kosova.info/

Go to TOP