Organizohet “Dita e Qershisë 2021”

Ministri i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, gjatë ditës mori pjesë në aktivitetin “Dita e Qershisë 2021”, organizim ky i Aleancës Kosovare të Bizneseve dhe Agrokosova Holding, i cili kishte për qëllim promovimin e produkteve vendore, konkretisht qershisë.

Ministri Faton Peci duke parë nga afër plantacionet e mbjella, si dhe shtandet në të cilat ishin ekspozuar frutet e qershisë u shpreh i kënaqur duke theksuar se përkrahja dhe mbështetja për të gjithë kultivuesit e kulturave bujqësore do të vazhdoj përmes granteve dhe subvencioneve, në mënyrë që të lehtësohet puna e tyre.

Në anën tjetër, kultivuesit e falënderuan ministrin Faton Peci për vizitën, angazhimin dhe mbështetjen e tij, e gjithashtu e njoftuan atë se mbështetja për këtë sektor është më se e nevojshme.

Ndërsa kryetari i AKB-së, Agim Shahini, e ka konsideruar këtë biznes si model për rajonin.

Shahini ka thënë se Agro-Kosova me 20 hektarë tokë që i ka dhënë tregut 350 ton Qershi është një ofertë serioze për ekonominë e vendit.

“Ky kompleks është bërë model në Kosovë dhe më larg. Kemi shumë arsye pse e kemi quajtur këtë ditë kështu dhe në vazhdimësi kemi pas mbështetjen e kryetarit të komunës së Suharekës. Kemi vendosur që ky aktivitet të bëhet tradicional dhe në vitet e ardhshme do të jetë festë e madhe dhe do të japim një mesazh të qartë që qershia është një kulturë me përfitime të mëdha. Kompleksi AgroKosova ka rreth 20 hektarë e që në treg i ka ofruar Kosovës rreth 350 ton qershi me cilësi të lartë që është një ofertë për konsumatorin tonë, për shtetin dhe për biznesin e fermerët që merren me këtë punë”, është shprehur ai.

Ai ka ftuar Qeverinë e ministrinë që të rrit subvencionet për bizneset që merren me agrobiznes.

Pronari i kompanisë AgroKosova Holding, Haziz Tafaj, ka treguar se tri vitet e fundit kanë shënuar rezultat të lartë për kultivimin e Qershisë me cilësi e sasi të lartë.

Ai poashtu ka njoftuar se biznesi i tij ka të punësuar 100 gra e vajza si dhe 100 burra.

Sipas Tafajt kultivimi i qershisë do të jap kontribut të jashtëzakonshëm në rritjen e mirëqenies së qytetarëve të kësaj komune.

“Dita e Qershisë” do të bëhet festë tradicionale. Arsyeja e organizimit është që kultivimi i Qershisë nga ana e ndërmarrjes sonë në dy tri vitet e fundit ka dhënë rezultate të jashtëzakonshme si në kultivimin e sasisë ashtu edhe në atë të cilësisë. Kultivimi i qershisë ka me dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në rritjen e mirëqenies të qytetarëve tanë. Qysh tani i kemi rreth 100 gra e vajza dhe 100 burra të cilët kanë punuar tradicionalisht. Rezultati i mirë i këtij prodhimi me një kualitet të lartë të cilësisë që në treg është më e larta në regjion na jep kurajë që të vazhdojmë këtë investim”, është shprehur ai.

E kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, e ka përgëzuar për punën që po bën zotëri Tafaj, dhe ka treguar se shumë shpejt do të nis edhe Festa e Luleve.

“Ftoj bujqit e Komunës së Suharekës që me fillu me kultivu qershi” është shprehur ai.

Ai gjithashtu ka kërkuar nga ministri ti ndihmojë bizneset me subvencione. /Kosova.info/

Go to TOP