Olimpistja Hana Beiqi shkëlqen në Kupën e Kosovës në Not – shpallet Sportistja e Garës dhe konfirmon formën olimpike
Olimpistja dhe bursistja e Komitetit Olimpik të Kosovës për Lojërat Olimpike “Los Angeles 2028”, Hana Beiqi, ka shkëlqyer në mënyrë të jashtëzakonshme në Kupën e Kosovës në Not 2025, duke u shpallur Sportistja e Garës pas një serie triumfesh të pabesueshme në të gjitha disiplinat ku mori pjesë.
E pa konkurrencë në garat e stilit Freestyle dhe Butterfly, Beiqi dominoi pishinën me performanca të jashtëzakonshme dhe rezultate mbresëlënëse, që e pozicionuan në majë të notit kosovar dhe e konfirmuan si një nga sportistet më të përgatitura të vendit për garat ndërkombëtare.
Në këtë garë prestigjioze, ajo fitoi gjashtë medalje të arta, duke triumfuar si në kategorinë e moshës 16–17 vjeç, ashtu edhe në kategorinë “Open”:
- Medalje të Arta – Hana Beiqi
- 50m Freestyle (16–17 vjeç) – 26.88
- 50m Freestyle (Open) – 26.88
- 50m Butterfly (16–17 vjeç) – 28.83
- 50m Butterfly (Open) – 28.83
- 100m Butterfly (16–17 vjeç) – 1:05.50
- 100m Butterfly (Open) – 1:05.50

Falë këtyre rezultateve, Hana jo vetëm që u shpall Sportistja më e mirë e garës, por edhe dëshmoi se është në formë të jashtëzakonshme për sfidat e ardhshme ndërkombëtare, përfshirë përgatitjet e saj për Lojërat Olimpike Los Angeles 2028, ku synon të përfaqësojë Kosovën me dinjitet.
Përfaqësues të Klubit të Sporteve të Ujit OTRILA shprehën krenari të veçantë për suksesin e Hanës, duke theksuar se ajo është një shembull frymëzues për gjeneratat e reja të notarëve në vend.
“Hana po dëshmon çdo herë se puna, përkushtimi dhe profesionalizmi çojnë drejt majës. Si bursiste olimpike dhe sportiste e jashtëzakonshme, ajo është ambasadore e denjë e sportit kosovar në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare,” u shpreh drejtuesi i klubit OTRILA.
Me këtë sukses, Hana Beiqi forcon pozitën e saj si një nga yjet më premtues të notit në Kosovë, duke e vazhduar vitin me një tjetër kapitull të artë në karrierën e saj sportive. /Kosova.info/

