OKB: Mbi 187 mijë njerëz të zhvendosur në Gaza
Më shumë se 187 mijë njerëz janë zhvendosur në të gjithë Rripin e Gazës, sipas agjencisë së OKB-së që punon me refugjatët palestinezë.
Në përditësimin e saj të fundit, UNRWA tha se 187,518 janë detyruar të ikin – një shifër që ajo thotë se “pritet të rritet më tej”, shkruan Euronews, transmeton Klan Kosova.
Gati 137 mijë persona të zhvendosur brenda vendit (PZHBV) janë strehuar në 83 shkolla të UNRWA në të gjithë enklavën e rrethuar palestineze, ndërsa vazhdojnë sulmet e rënda ajrore izraelite.
“Kushtet janë të vështira, me disa strehimore të mbipopulluara dhe me disponueshmëri të kufizuar të ujit të pijshëm,” shtoi ai.
Zyra në terren e UNRWA në Gaza ka “pësuar dëme kolaterale për shkak të sulmeve ajrore”. Ndërtesa të tjera të agjencisë së OKB-së, si shkolla, qendra shëndetësore dhe një qendër rehabilitimi për personat me shikim të dëmtuar, janë dëmtuar.
Pothuajse gjysmë milioni njerëz në Gaza nuk kanë qenë në gjendje të marrin racione ushqimore të OKB-së këtë javë pasi qendrat e shpërndarjes janë mbyllur, së bashku me shkollat.
