Rokadë në qeverinë gjermane: Merz prezanton ndryshimet
Pas largimit të Jens Spahnit, nga posti i kreut të grupit parlamentar të CDU/CSU, Merz riformaton kabinetin qeveritar. Ja emrat e rinj.
Kancelari gjermanFriedrich Merz po e shfrytëzon dorëheqjen e kreut të grupit parlamentar të CDU/CSU-së, Jens Spahn, për një riorganizim më të gjerë të kabinetit të tij.
Në një deklaratë për mediat të premten në mëngjes, Merz konfirmoi se ministrja aktuale e Shëndetësisë, Nina Warken, do të marrë postin e shefes së Kancelarisë Federale, duke pasuar Thorsten Frei këtu. Politikania e CDU-së bëhet kështu gruaja e parë në historinë e Gjermanisë që mban këtë post. Merz kishte njoftuar më herët se Thorsten Frei do të zëvendësojë Jens Spahnnë krye të grupit parlamentar të Unionit.
Në vend të Warken, postin e ministrit të Shëndetësisë pritet ta marrë sekretari i përgjithshëm i CDU-së, Carsten Linnemann, i njohur si politikan me qëndrime të prera për kursimet në shtetin social. Po ashtu, Philipp Amthor, aktualisht sekretar shtetitnë Ministrinë e Digjitalizimit dhe anëtar i CDU-së, pritet të zëvendësojë Michael Meister, ministrin e shtetit në Kancelari përgjegjës për bashkëpunimin ndërmjet qeverisë federale dhe landeve.
Merz paralajmëron ndryshime të tjera në kabinetin qeveritar
Njëkohësisht, Merz njoftoi edhe hapa të tjerë. “Do të ketë ndryshime të mëtejshme në kabinetin federal”, theksoi ai. Sipas tij, për këto ndryshime do të ketë informim “në kohën e duhur”. Megjithatë, kjo do të kërkojë edhe disa ditë të tjera, “ndoshta edhe më shumë”.
Sipas informacioneve të studios së ARD-së në Berlin, mund të ketë lëvizje edhe në Ministrinë e Transportit. Raportohet se ministri aktual, Patrick Schnieder, mund ta humbasë postin e tij. Megjithatë, deri tani nuk ka ende një konfirmim zyrtar për këtë./DW/
