OKB: Kosova dhe Serbia t’i realizojnë me shpejtësi obligimet e propozimit evropian

Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, e ka mirëpritur dakordimin që u arrit në Ohër më 18 mars mes Kosovës dhe Serbisë për aneksin për zbatimin e propozimit evropian.

“Është e rëndësishme që tani të dyja palët të punojnë me shpejtësi dhe mirëbesim për t’i realizuar të gjitha obligimet e përcaktuara në marrëveshje, për të mirën e të gjithëve”, ka thënë Guterres, në njoftimin e lëshuar nga zëdhënësi i tij, Farhan Haq.

“Kombet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për të mbështetur zbatimin e marrëveshjeve që dalin nga dialogu mes Beogradit dhe Prishtinës që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian”, ka theksuar Guterres.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në takimin e përbashkët në Ohër me përfaqësues të Bashkimit Evropian, si dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ranë dakord për aneksin për zbatimin e marrëveshjes së propozuar nga BE-ja, por nuk pati nënshkrime pasi pala serbe hezitoi.

Go to TOP