OKB: 13 milionë njerëz të prekur nga stuhia në Filipine
Një ishull i njohur turistik në Filipine, Siargao, është në mesin e zonave më të shkatërruara nga një tajfun i fuqishëm që preku vendin.
Tajfuni Rai goditi ishullin Siargao, ndërsa erërat arrinin shpejtësi deri në 195 kilometra në orë.
Në provincën Surigao del Norte në perëndim të ishullit, prefekti i qytetit Surigao, Ernesto Matugas, e përshkroi ndikimin e tajfunit si “të rëndë”.
“Gjithçka është dëmtuar, çatitë janë rrënuar dhe qasja në rrugë është e bllokuar nga rrëshqitja e dheut”, tha Matugas.
Stuhia tropikale shkatërroi shumë shtëpi duke detyruar zhvendosjen e mijëra banorëve. Sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara vlerësohet se rreth 13 milionë njerëz u prekën nga stuhia. Deri më tani është konfirmuar vetëm një i vdekur si pasojë e tajfunit.
Ndonëse terminali kryesor i aeroportit në ishull është dëmtuar, pista tashmë është pastruar për operacionet e shpëtimit.
Shteti i Filipineve shpesh goditet nga stuhitë e fuqishme, mesatarisht nga 20 sosh në vit.
Tajfuni Goni, i cili preku vendin në nëntor të vitit 2020, ishte në mesin e më të fuqishmëve që preku Filipinet viteve të fundit.
