Ohajo, shpresë se debati nënpresidencial do të rrisë pjesëmarrjen në votime
Si demokratët, ashtu edhe republikanët në Ohajo shpresojnë se debati nënpresidencial i së martës do t’i motivojë njerëzit të marrin pjesë në zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit. Demokratët dhe republikanët e këtij shteti ishin të kënaqur me paraqitjet e kandidatëve të tyre në debatin nënpresidencial.
Midëlltauni është vendlindja e senatorit amerikan dhe kandidatit për nënpresident JD Vance, një qytet që ai e përshkruan në librin e tij “Hillbilly Elegy” dhe ku disa nga mbështetësit e tij ndoqën debatin e tij me guvernatorin e Minesotës, Tim Walz.
“Ne mendojmë se JD është shumë i sinqertë, sepse e njohim atë. Ai është një person i zakonshëm.”
Joe Statzer është drejtor ekzekutiv i Partisë Republikane në qarkun Batllër të Ohajos, i cili përfshin edhe qytetin e Midëlltaunit.
“Në 2016 dhe 2020, Donald Trumpi mori përqindjen më të madhe të votave në Batllër se në çdo qark tjetër të Ohajos. Ky është një qark konservator.”
Zoti Statzer ishte i kënaqur kur JD Vance foli për çështjet që e shqetësojnë atë më shumë.
“Ai foli për kufirin, ekonominë dhe grevën e punonjësve të porteve, që po ndodh tani në lindje të vendit”, tha ai.
“Sigurisht që njerëzit janë të shqetësuar për koston e jetesës, kjo është gjithmonë e rëndësishme ashtu si kujdesi i tyre shëndetësor.”
Kathy Wyenandt, kryetare e Partisë Demokrate në Qarkun Batllër, thotë se të drejtat riprodhuese dhe shqetësimet për imigracionin ishin gjithashtu pikat kryesore të tubimit mbi debatin, që ajo organizoi në një kafene në qendër të qytetit të Midëlltaunit.
“Ishte zhgënjyese kur JD Vance përdori një gjuhë çnjerëzore në diskutimin për emigrantët e paligjshëm”, tha ajo.
Jacob Payen, Aleanca e Komunitetit Haitian
“Nëse JD Vance do të bëhej nënpresident, unë do të isha shumë i shqetësuar për mënyrën se si ai do ta trajtonte çështjen e imigracionit.”
Jacob Payen është anëtar i komunitetit të madh haitian në Springfilld të Ohajos, rreth 60 kilometra larg Midëlltaunit. Disa anëtarë të komunitetit të tij kanë qenë në shënjestër të sulmeve që nga debati presidencial muajin e kaluar, kur kandidati republikan Donald Trump pretendoi në mënyrë të rreme se ata po hanin kafshët shtëpiake të njerëzve.
Zoti Payen kërkoi siguri nga Guvernatori Walz.
“Duhet të kem garanci se do të jem i sigurt ndërsa jam këtu në Amerikë, sepse ne kemi ardhur në Amerikë për të kërkuar siguri, paqe, dashuri.”
Zoti Payen beson se ai mori garanci për sigurinë.
“Tim Walz dukej se ishte shumë i qetë në debat. Zoti Vance ishte më shumë në pozita mbrojtjeje”, tha ai.
“Kam vendosur se për kë do të votojë.”
Isaac Adi erdhi në Shtetet e Bashkuara më shumë se 20 vjet më parë nga Nigeria dhe është votues në Qarkun Batllër. Pavarësisht retorikës ndaj haitianëve në Springfild, zoti Adi mbështet qëndrimet e zotit Trump dhe zotit Vance për imigracionin.
“Kam ardhur në këtë vend legalisht dhe pres nga të gjithë ata që vijnë në këtë vend që të respektojnë ligjet, pra që të vijnë këtu në mënyrë të ligjshme.”
Demokratët dhe republikanët dukët se janë dakord se debati nënpresidencial nuk do të ketë ndikim në rezultatin e zgjedhjeve të nëntorit. “Por ky debat i bën njerëzit të kuptojnë se sa e rëndësishme është pjesëmarrja në votime.”
Joe Statzer thotë se republikanët nuk kanë mëdyshje se për kë do të votojnë. Kjo është thjesht një çështje kohe.
“Kemi të bëjmë me kohën se kur do të votojmë për zotin JD Vance, gjatë votimit të hershëm apo në ditën e zgjedhjeve.”
Votimi i hershëm në Ohajo fillon më 8 tetor.