Oda Ekonomike Shqiptare kërkon transparencë për investimet në Portin e Durrësit

Oda Ekonomike Shqiptare ka reaguar lidhur me zhvillimet dhe raportimet për investime strategjike në Portin e Durrësit dhe projektet që lidhen me ndërtimin e portit në Porto Romano, duke kërkuar transparencë të plotë institucionale dhe kujdes të lartë strategjik.

Në reagim theksohet se historikisht Porti i Durrësit është konsideruar një pikë me rëndësi të madhe gjeostrategjike në Ballkan. Sipas Odës, në fillim të shekullit XX diplomatët rusë e shihnin këtë port si një nyje strategjike, pasi përmes tij mund të krijohej një korridor drejt Serbisë dhe më tej drejt Evropës Qendrore, duke ndikuar në balancën e fuqisë në Adriatik.

Megjithatë, sipas këtij reagimi, përpjekjet e asaj kohe për të siguruar dalje në Adriatik përmes Serbisë u kundërshtuan nga fuqitë perëndimore, veçanërisht nga Austro-Hungaria dhe Italia, të cilat mbështetën krijimin e shtetit shqiptar. Ky zhvillim u formalizua pas shpalljes së pavarësisë nga Ismail Qemali në Vlorë në vitin 1912.

Oda Ekonomike Shqiptare vlerëson se edhe sot projektet e mëdha infrastrukturore, si portet dhe infrastruktura detare, nuk janë vetëm çështje ekonomike, por edhe elemente të rëndësishme të sigurisë kombëtare dhe rajonale. Për këtë arsye, çdo investim në këto sektorë duhet të realizohet me standarde të larta transparence, konkurrencë të ndershme dhe në koordinim me partnerët strategjikë të Shqipërisë.

Në reagim përmendet edhe shembulli i Aeroportit të Rinasit, për të cilin thuhet se zhvillimi i kapaciteteve është rritur ndjeshëm pasi menaxhimi kaloi në duar shqiptare, ndërsa pritet që kapacitetet të trefishohen në të ardhmen.

Në fund, Oda Ekonomike Shqiptare thekson se Porti i Durrësit është një aset strategjik jo vetëm për Shqipërinë, por për gjithë kombin shqiptar, ndaj çdo vendimmarrje për investime në këtë sektor duhet të jetë në përputhje me interesat kombëtare dhe orientimin euro-atlantik të vendit. Sipas saj, historikisht kanë ekzistuar pretendime ruse për këtë port dhe shprehet shpresa që ambicie të tilla të mos realizohen përmes vendimeve politike që mund të dëmtojnë interesat strategjike të Shqipërisë.

Go to TOP