Oda Ekonomike Amerikane e shqetësuar me sulmet e pushtetit ndaj institucioneve të drejtësisë

Oda Ekonomike Amerikane (OEA) ka shprehur shqetësimin për sulmet verbale të përfaqësuesve të Qeverisë ndaj institucioneve të drejtësisë, përfshirë Gjykatën Kushtetuese.

Kryeministri Albin Kurti në një intervistë të enjten në RTK ftoi Gjykatën Kushtetuese të garojë në zgjedhje, pasi sipas tij, po bën punë selektive në trajtimin e rasteve.

Sipas Odës Ekonomike Amerikane, sulmet e tilla e gërryejnë besimin në pavarësinë dhe integritetin e gjykatave.

“Gjithashtu, Oda Amerikane shpreh shqetësimet e saj lidhur me sulmet verbale të përfaqësuesve të ekzekutivit dhe legjislativit ndaj pushtetit gjyqësor dhe institucioneve të drejtësisë, përfshirë Gjykatën Kushtetuese dhe gjykatat e tjera. Sulmet e tilla gërryejnë më tej besimin në pavarësinë dhe integritetin e sistemit gjyqësor të Kosovës, i cili është thelbësor për sigurimin e procedurave të drejta dhe transparente ligjore për bizneset dhe investitorët”, thuhet në reagimin e tyre.

Reagimi i OEA-së të premten më së shumti i dedikohet suspendimit të përmbaruesit Irfan Kërçagu. Kërçagu ka njoftuar të enjten se me një vendim të Ministrisë së Drejtësisë është suspenduar. Përmbaruesi Kërçagu ia bllokoi llogaritë Telekomit së fundmi për shkak të rastit me “Dardafonin”. Telekomi ka kërkuar suspendimin e tij, ndërsa Kërçagu ka thënë se vetëm e ka zbatur ligjin. Ishte suspenduar edhe në të kaluarën.

OEA ka thënë se ndërhyrja e Ministrisë së Drejtësisë minon sundimin e ligjit. I ka bërë thirrje Ministrisë së Drejtësisë që të marrë parasysh implikimet më të gjera të veprimeve të saj në klimën e biznesit në Kosovë.

Reagimi i plotë i OEA-së për suspendimin e përmbaruesit Kërçagu:

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë shpreh shqetësimin e saj të thellë lidhur me suspendimin së fundmi të një përmbaruesi privat nga ana e Ministrisë së Drejtësisë. Ky veprim, siç perceptohet nga Oda Amerikane dhe anëtarët e saj, përbën një shembull shqetësues të ndërhyrjes në proceset e pavarura gjyqësore të Kosovës. Si avokuese prijëse për interesat e bizneseve dhe investitorëve në Kosovë, Oda Amerikane beson fuqishëm se sundimi i ligjit dhe pavarësia e gjyqësorit janë shtylla themelore për një mjedis të fortë dhe të favorshëm biznesi. Është thelbësore të theksohet se sundimi i ligjit në thelb përfshin kufizimin e ushtrimit arbitrar të pushtetit duke iu nënshtruar kornizës së mirëfilltë ligjore.

Ndërhyrja e Ministrisë së Drejtësisë jo vetëm që i minon këto shtylla, por gjithashtu i kontribuon rritjes së paparashikueshmërisë dhe mungesës së transparencës rreth kuadrit ligjor dhe rregullativ të vendit dhe respektimin e normave dhe praktikave ndërkombëtare për përmbarimin e aktvendimeve të arbitrazhit ndërkombëtar. Suspendimi i përmbaruesit, për herë të dytë, si vijimësi e rasteve të mëparshme të ndërhyrjeve të perceptuara, dërgon një sinjal shqetësues për investitorët vendasë dhe ndërkombëtarë. Ai vë në dyshim garantimin e mbrojtjes ligjore dhe zbatueshmërisë së kontratave në Kosovë. Një klimë e tillë e pasigurisë është e dëmshme për mjedisin e biznesit, duke penguar investimet, rritjen ekonomike e rrjedhimisht edhe përmirësimin e mirëqenies së përgjithshme. Dështimi për të respektuar ndarjen e pushteteve cenon parimet demokratike dhe proceset integruese euroatlantike. Respektimi i këtij parimi mbron nga përqendrimi i pushtetit si dhe mbron pavarësinë e institucioneve kyçe, përfshirë gjyqësorin.

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë i bënë thirrje Ministrisë së Drejtësisë që të marrë parasysh implikimet më të gjera të veprimeve të saj në klimën e biznesit në Kosovë. Rikonfirmimi i përkushtimit ndaj pavarësisë së gjyqësorit dhe sundimit të ligjit është imperativ për zhvillimin ekonomik dhe besimin e investitorëve.

Go to TOP