OBSh-ja: Covid-19 të mos trajtohet si grip, s’mund të quhet endemi

Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëroi të martën që Covid-19 të mos trajtohet si sëmundje endemike si gripi, duke thënë se përhapja e variantit Omicron ende nuk është stabilizuar.

Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, tha të thënën se tani mund të jetë koha që të ndryshohet mënyra e përcjelljes së Covid-it dhe të përdoret një metodë e ngjashme me atë se si përcillet gripi, sepse ka rënë shkalla e vdekshmërisë, shkruan Reuters.

“Ende kemi sasi të madhe të paqartësisë dhe një virus që po evoluon goxha shpejt, duke imponuar sfida të reja. Ne qartazi nuk jemi në pikën ku mund ta quajmë atë endemi”, tha zyrtarja e lartë për urgjenca për Evropën në Organizatën Botërore të Shëndetësisë, Catherine Smallwood.

Ndryshe, Shtetet e Bashkuara raportuan shifër rekorde prej 1.35 milion rastesh të reja me koronavirus të hënën, sipas të dhënave të agjencisë Reuters, duke dhënë shenjë se përhapja e variantit Omicron nuk është duke u ngadalësuar.

Rekordi i mëhershëm i rasteve ditore në ShBA ishte 1.03 milion raste dhe u shënua më 3 janar. Një numër më i madh rastesh raportohet zakonisht çdo të hënë, pasi disa shtete nuk raportojnë gjatë fundjavës.

Go to TOP