Numri i të vdekurve nga sulmi rus në supermarket rritet në 12, thotë Ministria ukrainase
Numri i përgjithshëm i të vdekurve nga një sulm rus në një supermarket në Kostiantinivka, një qytet në rajonin lindor Donjeck të Ukrainës, është rritur në 12, njoftoi të premten Ministria e Brendshme e Ukrainës.
Ministria ukrainase shtoi se dhjetëra njerëz u plagosën në këtë sulm gjithashtu.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se ky ishte një sulm “terrorist”.
“Terroristët rusë e goditën një supermarket të zakonshëm dhe një zyrë postare. Ka njerëz nën gërmadha. Operacioni për shpëtim ka filluar dhe do të bëjmë gjithçka për t’i shpëtuar ata”, tha Zelensky në rrjetin social X.
Kostyantynivka, Donetsk region. Russian terrorists hit an ordinary supermarket and a post office. There are people under the rubble. A rescue operation is underway, and everything will be done to save them.
— Volodymyr Zelenskyy / Володимир Зеленський (@ZelenskyyUa) August 9, 2024
At the moment, it’s known that four people have been killed. My… pic.twitter.com/Sd9vrGTHTc
Ministria ukrainase tha se “numri i të vdekurve në Kostiantinivka është rritur në 12. Deri tani dihet edhe për 44 të plagosur”.
Ajo tha se ekipet e shpëtimit janë ende duke punuar në vendin e ngjarjes.
Vadym Filashkin, shef i administratës ushtarake rajonale, shkroi në Telegram se në këtë sulm u përdor një raketë Kh-38.
“Ky është një tjetër sulm që në shënjestër kishte një vend ku mblidhen njerëzit. Një akt tjetër i terrorit nga rusët”, shkroi Filashkin.
Pamjet nga vendi i ngjarjes shfaqën tym të zi duke dalë nga objekti i supermarketit.
Shërbimet emergjente janë duke i vazhduar operacionet për shpëtim, tha Filashkin.
Forcat ruse kanë në kontroll pjesë të mëdha të rajonit të Donjeckut. Pjesët që janë nën kontrollin e Ukrainës përballen shpesh me granatime dhe sulme ajrore.
Ky rajon është njëra prej zonave ku zhvillohet luftimet më të ashpra.
Ndërkohë, zyrtarët ukrainas raportuan se gjashtë njerëz vdiqën nga sulmet ruse në katër rajone të tjera.