Norrisi ndal dominimin e Verstappenit, e fiton titullin e parë në Formula 1
Lando Norris ka shkruar historinë në Formula 1, duke fituar titullin e tij të parë, dhe duke i dhënë fund dominimit katërvjeçar të Max Verstappen. Piloti britanik i McLarenit siguroi kurorën e kampionit pas garës së fundit të sezonit, Grand Prix të Abu Dabit, që u zhvillua këtë fundjavë.
Norris hyri në garën finale me një epërsi prej 12 pikësh ndaj Verstappenit në renditjen e përgjithshme dhe i mjaftonte një vend në podium për të siguruar titullin. Ai përfundoi i treti, rezultat i mjaftueshëm për të konfirmuar suksesin më të madh në karrierën e tij.
Verstappen, megjithëse e fitoi garën, nuk arriti ta tejkalonte disavantazhin, duke u dorëzuar kështu para rivalit të tij nga McLareni.
Pozitën e dytë në Abu Dabi e mori australiani Oscar Piastri, po ashtu pilot i McLarenit, i cili e mbylli sezonin si një prej konkurrentëve kryesorë. Para garës së fundit, ai kishte 16 pikë më pak se Norris.
Sezoni i këtij viti u cilësua si një ndër më emocionuesit e dekadës, me tre pilotë që hynë në garën finale me gjasa reale për titull. Herën e fundit një përballje e tillë dramatike ishte parë në vitin 2007, kur Kimi Raikkonen u shpall kampion me vetëm një pikë epërsi ndaj Lewis Hamiltonit.
Norris, në moshën 26-vjeçare, shënon kështu suksesin më të madh të karrierës së tij, ndërsa McLaren rikthehet fuqishëm në betejën për titull pas shumë vitesh pritjeje.
