“Nonstradamus, Burdush, Tjetër herë”: Shprehjet e çuditshme “diplomatike” të Gërvallës

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, nuk po jep sinjale për njohjen e pesë shteteve mos-njohëse të pavarësisë së Kosovës.

Lidhur me çështjen e njohjeve të këtyre pesë shteteve anëtarë të BE-së, për të cilat akterët ndërkombëtar kanë kërkuar rregullim marrëdhëniesh, Gërvalla nuk ka premtuar e as s’ka bërë të ditur nëse do të arrihen njohjet nga shtetet si Greqia e Spanja. Madje, kryediplomatja kosovare në paraqitje televizive ka përdorur shprehje të çuditshme, sa herë ka folur për njohjen e këtyre pesë shteteve.

Përgjatë një paraqitjeje televizive mbrëmë, Gërvalla-Schwarz deklaroi se nuk është “as Nostradamus e as Burdush për të ditur se kur do të na njohë Greqia”.

“Kam pasur vizitë bilaterale në Greqi, e cila nuk ka dalluar nga vizitat e kaluara bilaterale atje. Kam pasur biseda shumë të mira me homologun grek…Të them të drejtën, kam ndjerë se edhe Greqia dëshiron të ketë marrëdhënie shumë të mira me Kosovën. Unë nuk jam Burdush as Nostradamus për të ditur se kur do të na njohë Greqia…”, deklaron kryediplomatja kosovare.

E njëjta i ka bërë këto deklarata disa javë pas vizitës së saj që pati me homologun grek, Nikos Dendias.

Më herët, Gërvalla pati kërkuar që të prononcohet për “herën tjetër” kur është pyetur për njohjet, duke thënë se “ka lëvizje”.

“Unë pajtohem deri aty se nuk ka njohje të reja, por nuk pajtohem në atë që nuk ka lëvizje, ka lëvizje që në politikën e jashtme të Kosovës janë shumë të rëndësishme. Kemi hapje të marrëdhënieve të reja, me shtete që deri dje nuk jemi ulur as në tavolinë.”, tha Gërvalla.

Kur është pyetur se për cilat shtete bëhet fjalë, ajo është përgjigjur me “tjetër herë”.

Pesë shtetet mos-njohëse të pavarësisë së Kosovës janë Greqia, Spanja, Sllovakia, Rumania dhe Qipro

Go to TOP