Sulmet iraniane, Mediu: Të krijohet një agjenci për Sigurinë Kombëtare!
Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, në një lidhje të drejtpërdrejtë nga SHBA për emisionin ‘Çim Peka Live’ komentoi sulmet kibernetike iraniane në Shqipëri dhe instalimin e grupit opozitar MEK në vendin tonë.
I pyetur nëse kishte Shqipëria kapacitet për të marrë të gjithë pjesëtarët e MEK dhe çfarë garancie sigurie ofrojmë, Mediu tha se ishte një qëndrim që e mbajtën jo vetëm për shkak të kërkesës së SHBA, por duke njohur dhe problemet që kanë të bëjnë me zhvillimin e demokracisë në vende të ndryshme.
Mediu tha se tashmë ka ardhur koha të krijohet një agjenci për Sigurinë Kombëtare për të analizuar veprimet që garantojnë sigurinë kombëtare.
“Për sigurinë, duhet analizuar, mendoj se jo në mënyrë serioze jemi marrë me sigurinë deri tani. Nuk kemi diskutim të qenësishëm për çështjet e sigurisë apo një institucion që merret me analizën dhe koordinimin e veprimeve të sigurisë, Këshilli i Sigurisë Kombëtare është një organ konsultativ i cili më shumë ka ndarë se ka bashkuar.
Ka ardhur koha të kemi një agjenci për Sigurinë Kombëtare për të analizuar veprimet që garantojnë sigurinë tonë.”-tha Mediu.
Duke u ndalur tek situata politike në vend, Fatmir Mediu deklaroi se opozita duhet të jetë e unifikuar në qëndrime dhe veprime politike.
“Të jemi të unifikuar në raport me opozitën që duam të ndërtojmë. Duhet të kemi strategji që krijon bindje që ne krijojmë më shumë stabilitet dhe demokraci se të tjerët.”-tha Mediu.
