Njohja ligjore e menaxhimit veterinar, arritje historike për Urdhrin e Mjekut Veterinar

Urdhri i Mjekut Veterinar njofton me krenari njohjen ligjore të profesionit të “Menaxhimit Veterinar,” një arritje e rëndësishme për sektorin veterinar në Shqipëri. Kjo njohje vjen si rezultat i punës së palodhur të Urdhrit të Mjekut Veterinar në bashkëpunim me Fakultetin e Mjekësisë Veterinare të Universitetit Bujqësor të Tiranës.

“Ky vendim i ri përfshin njohjen ligjore të atyre që kanë përfunduar ciklin 2-vjeçar të Menaxhimit Veterinar, duke i integruar si profesionistë teknikë veterinarë. Teknikët veterinarë, të cilët ndërkombëtarisht konsiderohen “zemra e mjekësisë veterinare,” tashmë kanë të drejtën të ushtrojnë profesionin në çdo njësi veterinare, gjithmonë nën drejtimin e një mjeku veterinar”, thuhet në njoftim.

Ky hap përfaqëson një përmirësim të ndjeshëm në legjislacionin veterinar shqiptar, duke i hapur rrugën për një standard më të lartë profesional dhe shërbimesh të cilësisë së lartë. Për më tepër, njohja zyrtare i mundëson këtyre profesionistëve akses në të drejta dhe përfitime të garantuara ligjërisht.

“Urdhri i Mjekut Veterinar bën thirrje që të gjithë teknikët veterinarë të anëtarësohen, për të siguruar njohjen e tyre zyrtare dhe për të qenë pjesë aktive e zhvillimit të mëtejshëm të mjekësisë veterinare në Shqipëri”, thuhet tutje.

Kjo arritje nuk përfaqëson vetëm një hap të rëndësishëm për profesionistët e sektorit, por gjithashtu për forcimin e mjekësisë veterinare si një komponent jetik për mirëqenien e kafshëve dhe shëndetin publik në Shqipëri.

“Së bashku për një të ardhme më të ndritur në mjekësinë veterinare!”, përfundon njoftimi. /Kosova.info/


Go to TOP